Tetova është përballur me një tjetër akt që ka ngjallur reagime të forta në opinion. Është dëmtuar pllaka përkujtimore kushtuar gjeneralit të njohur shqiptar Mehmet Pashë Derallës, një prej figurave më të rëndësishme të historisë kombëtare shkruan Tetovasot.
Ngjarja vjen vetëm disa javë pasi Gjykata Kushtetuese abrogoi vendimin e Komunës së Tetovës për emërtimin e një rruge me emrin e Mehmet Pashë Derallës, vendim që shkaktoi reagime dhe protesta të shumta në qytet.
Tani, pas atij vendimi, është dëmtuar edhe pllaka përkujtimore e gjeneralit, duke ngritur pyetje serioze nëse kemi të bëjmë me një akt vandalizmi të rastësishëm apo me një sulm të qëllimshëm ndaj simbolikës historike shqiptare.
Mehmet Pashë Deralla është një nga figurat më të rëndësishme të historisë shqiptare, gjeneral i Ushtrisë Osmane dhe ministri i parë i Luftës i Qeverisë së Ismail Qemalit pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912. Për shqiptarët e Tetovës dhe mbarë trojeve shqiptare, ai mbetet simbol i sakrificës, shtetformimit dhe identitetit kombëtar.
Ngjarja pritet të nxisë reagime nga institucionet, subjektet politike dhe shoqatat kulturore, ndërsa qytetarët kërkojnë zbardhjen e autorëve dhe mbrojtjen e monumenteve e simboleve historike.
Pyetja që shtrohet sot është e thjeshtë: Kush e ka hallin me emrin dhe figurën e Gjeneralit Mehmet Pashë Deralla në Tetovë?TS



