Ministri i Punëve të Brendshme të Maqedonia e Veriut, Pançe Toshkovski, ka paralajmëruar zhvillime të reja dhe tronditëse në rastin e shumëpërfolur “Mazut”, duke deklaruar se posedon prova që sipas tij “do ta tronditin publikun maqedonas”.
Në një intervistë për emisionin “360 Gradë”, Toshkovski foli për hetimin që zgjati më shumë se një vit dhe që u mbyll dy javë më parë nga prokurorja kompetente Katerina Kolareviç.
Në këtë rast ishin nën hetim 13 persona, mes tyre biznesmenët Ratko Kapushevski, Asmir Jahoski dhe Erdžan Sulkoski, si dhe ish-drejtori i ESM, Vasko Kovačevski. Ata dyshoheshin për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe pastrim parash.
Prokurorja Kolareviç kishte deklaruar se provat e mbledhura gjatë hetimit nuk ishin të mjaftueshme për ngritjen e një aktakuze që do të mund të qëndronte në gjykatë.
Megjithatë, Toshkovski tha se ai ka parë prova të tjera që sipas tij ndryshojnë krejtësisht tablonë e rastit.
“Unë di disa prova që ju nuk i dini. Dhe nuk mund t’i dini. Ju dhe i gjithë publiku maqedonas do të tronditeni kur të vijë koha për t’u tronditur”, deklaroi ministri.
Ai shtoi se nëse raste të tilla mbyllen pa përgjegjësi, atëherë institucionet nuk kanë arsye të ekzistojnë.
“Nëse historia mbetet kështu, me provat që kam parë personalisht, atëherë shumë njerëz nuk duhet të jenë më në pozitat ku janë sot”, u shpreh Toshkovski.
Deklarata e ministrit ka nxitur reagime të shumta në opinion, ndërsa mbetet të shihet nëse organet hetuese do të rihapin procedurën apo do të publikohen prova të reja në ditët në vijim.


