Tradhtia nga brenda, plaga më e rëndë e një kombi!

Ajo që e rëndonte më së shumti Osmanin nuk ishte vetëm forca e armikut përballë, por tradhtia që vinte nga brenda. Kurthet e ngritura nga njerëzit e tij kushtonin jetë luftëtarësh dhe çdo humbje e tillë e zemëronte thellë.

Historia na mëson se një popull mund t’i përballojë armiqtë e jashtëm, por e ka shumë më të vështirë kur dobësohet, përçahet dhe goditet nga brenda.

Edhe sot, shqiptarët, kudo që jetojnë, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, Luginë e më gjerë, ndodhen përballë sfidave të mëdha. Por zemërimi bëhet edhe më i madh kur ata që betohen në mbrojtje të interesit kombëtar, në momentin vendimtar heshtin, përkulen apo bëhen pjesë e pazareve kundër tij.

Osmani e mallkoi rëndë tradhtinë dhe nuk e kurseu as kur ajo vinte nga njerëzit e afërt. Sepse, për të, interesi i popullit qëndronte mbi lidhjet e gjakut dhe interesat personale.

Nga aspekti historik dhe njerëzor, çdo veprim e ka një çmim. Ata që nuk i gjykon dora e njeriut, i gjykon historia; e për besimtarët, drejtësisë së Zotit nuk i shpëton askush.

Por tragjedia më e madhe është tjetërkund: kur disa ta kuptojnë dëmin që i kanë bërë popullit të tyre dhe të pendohen, mund të jetë tepër vonë!

Shqiptarët sot kanë nevojë për më shumë bashkim, përgjegjësi dhe vetëdije kombëtare. Sepse historia nuk i fal ata që, për një interes të vogël personal, sakrifikojnë interesin e një populli të tërë.

By admin7