Tragjedi në stacionin e Burgdorfit: burrë shtyhet në shina dhe vdes pas goditjes nga treni

Në Burgdorf, në kantonin e Bern, një përplasje mes disa burrave në stacionin hekurudhor ka përfunduar me një viktimë fatale, njofton policia kantonale.

Sipas autoriteteve, një grindje ka shpërthyer në platformat e stacionit, ku një burrë është shtyrë mbi shina dhe është goditur nga një tren mallrash që po kalonte. Viktima ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të rënda.

Reklame

Policia kantonale e Bernës ka konfirmuar se viktima është një 47-vjeçar me origjinë ukrainase, banor i kantonit të Bernës.

Autoritetet kanë bërë të ditur se një person është arrestuar dhe është dërguar në paraburgim, ndërsa një tjetër i ndaluar fillimisht është liruar. Po ashtu, disa persona të tjerë që ndodheshin në grup janë ndaluar përkohësisht, pasi roli i tyre në ngjarje ende nuk është sqaruar.

Hetuesit nuk përjashtojnë as përfshirjen e palëve të treta apo një aksident të mundshëm gjatë përplasjes. Ndërkohë, policia ka nisur hetime të gjera dhe ka bërë thirrje për dëshmitarë që mund të ndihmojnë në zbardhjen e rastit.

Sipas dëshmitarëve lokalë, personat e përfshirë njiheshin në zonë dhe kishin pasur kontakte të mëparshme, ndërsa autori i dyshuar përshkruhet nga disa si një person i qetë, çka e ka bërë ngjarjen edhe më tronditëse për komunitetin lokal.

By admin