Tragjedia në Shkup: Humb jetën këngëtari i operës Riste Velkov dhe djali i tij në aksidentin e rëndë

Një aksident i rëndë trafiku me pasoja fatale ka tronditur Shkupin gjatë natës, ku mes viktimave janë edhe këngëtari i njohur i operës, Riste Velkov, dhe djali i tij, Adami.

Sipas informacioneve jozyrtare, automjeti i tipit “BMW” drejtohej nga Velkov, ndërsa në makinë ndodheshin edhe djali i tij, student i vitit të dytë në Fakultetin FINKI, si dhe dy persona të tjerë. Njëri prej tyre është identifikuar si 20-vjeçari me iniciale P.M., ndërsa identiteti i viktimës së katërt ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Reklame

Burime për “Skopje1” bëjnë të ditur se hetimet e para tregojnë se kamioni me targa të Kosovës ka kaluar në korsinë e kundërt pa frenuar, duke goditur drejtpërdrejt automjetin ku ndodheshin viktimat.

Aksidenti tragjik ka ndodhur në rrugën qarkore të Shkupit, mes mbikalimit të Vizbegut dhe nyjës së Mirkocit, kur kamioni ka çarë barrierat mbrojtëse dhe është përplasur kokë më kokë me veturën “BMW”.

Përplasja ka shkaktuar zjarr të fuqishëm, ndërsa makina është përfshirë plotësisht nga flakët. Si pasojë, katër persona kanë humbur jetën në vendngjarje.

Nga MPB njoftojnë se viktimat janë shoferi R.V. (51), dy persona 20-vjeçarë dhe një person tjetër, identiteti i të cilit fillimisht nuk ishte i njohur. Më pas u konfirmua se në mesin e viktimave ndodheshin artisti i operës Riste Velkov dhe djali i tij.

Ndërkohë, shoferi 76-vjeçar i kamionit nga Kosova është shoqëruar në polici, ndërsa autoritetet po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave që çuan në këtë tragjedi.

By admin2