Presidenti amerikan Donald Trump dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu janë përfshirë në një debat të ashpër lidhur me vendimin e Izraelit për të rifilluar sulmet ajrore në periferitë jugore të Bejrutit, sipas një raporti të publikuar nga media amerikane Axios.
Sipas raportit, gjatë një telefonate, Trump reagoi me zemërim ndaj planeve izraelite për bombardime të reja në zonën Dahiya të Bejrutit, e cila konsiderohet bastion i Hezbollahut. Axios citon një zyrtar amerikan sipas të cilit presidenti amerikan i është drejtuar Netanyahut me tone të ashpra, duke i kërkuar llogari për veprimet ushtarake të Izraelit.
“Çfarë dreqin po bën?”, mësohet t’i ketë thënë Trump kryeministrit izraelit. Sipas të njëjtit burim, presidenti amerikan e paralajmëroi Netanyahun se veprimet e tij po dëmtonin rëndë imazhin ndërkombëtar të Izraelit, ndërsa thuhet se i tha: “Je i çmendur. Do të ishe në burg nëse nuk do të isha unë. Po të shpëtoj nga frika. Të gjithë të urrejnë tani. Të gjithë e urrejnë Izraelin për shkak të kësaj.”
Telefonata erdhi pasi Netanyahu kishte urdhëruar ushtrinë izraelite të rifillonte bombardimet në periferitë jugore të Bejrutit për të goditur objektiva të Hezbollahut. Më herët, Forcat Mbrojtëse të Izraelit kishin lëshuar paralajmërime për evakuim, duke detyruar mijëra banorë të largoheshin nga zonat e rrezikuara.
Debati mes dy liderëve ndodhi në një moment të ndërlikuar diplomatik. Irani njoftoi se do të pezullojë bisedimet me SHBA-në për shkak të operacioneve izraelite në Libanin jugor, duke kërkuar që situata në Liban të përfshihet në çdo marrëveshje të mundshme armëpushimi.
Megjithatë, versioni i publikuar nga Axios është kundërshtuar nga media izraelite. Kanali 12 raportoi se Trump nuk e kishte sulmuar personalisht Netanyahun dhe se telefonata kishte përfunduar me një mirëkuptim mes palëve. Sipas këtij raporti, Izraeli do të shmangte sulmet në periferitë e Bejrutit nëse Hezbollahu do të ndalonte sulmet me dronë dhe raketa ndaj territorit izraelit.
Marrëdhënia mes Trump dhe Netanyahut ka kaluar edhe më parë periudha tensionesh. Edhe pse Izraeli mbetet aleati më i afërt i SHBA-së në Lindjen e Mesme, të dy liderët kanë pasur mosmarrëveshje publike në të kaluarën. Trump kishte shprehur pakënaqësi ndaj Netanyahut edhe pas zgjedhjeve presidenciale amerikane të vitit 2020, kur lideri izraelit uroi Joe Biden për fitoren.
Ndërkohë, të dy udhëheqësit përballen me sfida politike në vendet e tyre. Trump po përballet me presione të ndryshme brenda Partisë Republikane për mënyrën e trajtimit të konfliktit në Lindjen e Mesme, ndërsa Netanyahu ndodhet nën presion politik të brendshëm dhe përballet me vazhdimin e procesit gjyqësor për korrupsion.


