Shtetet e Bashkuara nuk kanë nevojë të ndërmarrin një operacion tokësor kundër Iranit. deklaroi në podcastin ‘Pod Force One’ presidenti amerikan, Donald Trump.
“Nuk kemi nevojë për ‘trupa në terren’. Kemi shkatërruar një pjesë të madhe të forcave të tyre ushtarake vetëm me bombardime”, tha Trump, duke shtuar se “ata kanë shumë pak ushtarë”.
Ai shtoi se Irani ka pranuar të heqë dorë nga armët bërthamore.
“Ata tashmë kanë rënë dakord se nuk do të kenë armë bërthamore”, tha Trump në intervistën podcast me Miranda Devine të Washington Post.
Ai shtoi se beson se udhëheqësi suprem Mojtaba Khamenei është “absolutisht i përfshirë” në procesin e vendimmarrjes për mënyrën se si do t’i jepet fund luftës dhe se iranianët “kanë respekt të madh për të”.
Trump konfirmoi optimizmin e tij për negociatat, duke deklaruar se bisedimet me Iranin po “evoluojnë me shpejtësi” dhe se “nuk do të ketë armë bërthamore e do të ndodhin shumë gjëra të tjera pozitive”.
Gjithashtu konfirmoi se herët a vonë do i pëlqente ta takonte Khamenein.
“Do të më pëlqente ta takoja. Do të më pëlqente të takoja të gjithë. Do të doja ta takoja atë dhe ndoshta do të takohemi herët a vonë, në varësi të mënyrës se si do të zhvillohen gjërat” u shpreh Trump në një intervistë ekskluzive për New York Post.
“Ai nuk po kalon një periudhë të mirë, i mungojnë disa pjesë të ndryshme”, shtoi Trump lidhur me zërat sipas të cilëve Khamenei do të kishte mbetur i gjymtuar pas një sulmi ajror.
Ndërkohë gjatë intervistës në Washington Post, presidenti amerikan konfirmoi se e ka quajtur kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu “krejtësish të çmendur” gjatë telefonatës së tyre të fundit për të diskutuar armëpushimin në Liban.
Megjithatë pranoi se “punon mirë së bashku” me Netanyahun.
“Isha pak i shqetësuar nga luftimet e tij të vazhdueshme në Liban – tha Trump – Por më pëlqen shumë Bibi. Dhe punoj shumë mirë me të. Unë jam president në kohë lufte dhe ai është kryeministër në kohë lufte”.


