Presidenti amerikan Donald Trump refuzoi të thotë nëse armëpushimi i brishtë mes SHBA-së dhe Iranit mbetet në fuqi, pasi të dyja palët shkëmbyen zjarr në Ngushticën e Hormuzit, raporton CNN.
I pyetur nga moderatori konservator i radios Hugh Hewitt nëse armëpushimi me Iranin është “i përfunduar” dhe nëse sulmet mund të rifillojnë, Trump tha: “Epo, nuk mund t’jua them këtë”.
“Nëse do t’i përgjigjesha kësaj pyetjeje, ju do të thoshit se ky njeri nuk është mjaftueshëm i zgjuar për të qenë president”, tha Trump.
Më herët, në një intervistë për Fox News, Trump paralajmëroi forcat iraniane se do të “fshiheshin nga faqja e dheut” nëse do të përpiqen të shënjestrojnë anijet amerikane në ngushticë ose në Gjirin Persik.
Më vonë gjatë intervistës, ai këmbënguli se lufta me Iranin, “nga ana ushtarake … është në thelb e përfunduar.”

