Trump ua ndalon CNN-it dhe Politicos të hyjnë në Shtëpinë e Bardhë

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka njoftuar se ua ndalon “menjëherë” hyrjen mediave gjigante si CNN, MSNBC dhe Politico në Shtëpinë e Bardhë, dhe kërcënoi se mund të ketë edhe ndalime të tjera të ngjashme për mediat.

Përmes një postim në platformën “Truth Social”, Trump tha se këto media “shkruajnë ose raportojnë vazhdimisht trillime apo gënjeshtra” rreth administratës së tij, ndonëse nuk dha asnjë shembull konkret.

Ndërsa, më vonë, Trump e cilësoi këtë si një “ndalim shumë të thjeshtë”, por nuk shpjegoi se si do të zbatohej ai. Mbetet e paqartë nëse punonjësve të këtyre mediave do t’u ndalohet hyrja në mjediset e Shtëpisë së Bardhë, shkruan BBC.

CNN e kritikoi menjëherë këtë veprim, duke e quajtur atë një “sulm të paligjshëm” ndaj lirisë së shtypit në Amerikë. Lëvizja e Trumpit ka gjasa të përballet me sfida ligjore.

Gazetarët e Politicos dhe CNN-it ndodheshin ende në mjediset e Shtëpisë së Bardhë pak kohë pas bërjes së njoftimit.

Në një deklaratë, rrjeti televiziv e cilësoi të paligjshëm një ndalim të mundshëm dhe theksoi se “qëndron plotësisht në krah të ekipit tonë në Shtëpinë e Bardhë dhe të raportimit të tyre të drejtë e të saktë”.

Politico gjithashtu publikoi një deklaratë, duke thënë se do të “vazhdojë të raportojë në mënyrë të drejtë për këtë Shtëpi të Bardhë dhe për ato të ardhshme”.

“Ne do t’i mbrojmë me vendosmëri të drejtat tona të garantuara nga Amendamenti i Parë kundër çdo përpjekjeje për t’i kufizuar ato”, thuhet më tej në deklaratë.