Turistët ikin me panik pas shpërthimit të dhunshëm të vullkanit Volcán de Fuego në Guatemalë

Disa turistë u detyruan të largoheshin me nxitim pasi vullkani Volcán de Fuego në Guatemalë shpërtheu papritur, duke hedhur gurë të nxehtë dhe re të dendura tymi në atmosferë.

Pamjet që janë bërë virale në rrjetet sociale tregojnë momentet dramatike kur alpinistët vrapojnë përgjatë shtigjeve vullkanike, ndërsa mbeturinat e nxjerra nga shpërthimi bien përreth tyre. Në një prej videove dëgjohet një turist duke bërtitur: “O Zot i madh, dreq i shenjtë. Vrapo, vrapo!”
Sipas raportimit të New York Post, një turist u pa duke marrë në krahë një qen dhe duke e çuar në një zonë më të sigurt, ndërsa të tjerë përpiqeshin të mbroheshin nga gurët dhe mbeturinat që binin nga qielli. Shkëmbinj të ndezur u shpërndanë në terren, ndërsa hiri dhe tymi mbuluan zonën përreth.

Në një video tjetër, një alpinist shihet duke hedhur ujë nga një shishe mbi një copë mbeturine të nxehtë që kishte rënë pranë tij.

Mes personave që përjetuan nga afër shpërthimin ishte edhe alpinistja Hana García. Ajo deklaroi se një shkëmb i ndezur i shkriu një pjesë të xhaketës dhe për pak sa nuk e goditi në kokë.

“Vullkani shpërtheu dhe arrita të filmoja vetëm një pjesë të vogël të ngjarjes. Nuk munda të regjistroja më shumë, sepse kur ngrita kokën pashë shkëmbinj që po binin përreth nesh”, tha García për mediat lokale, sipas New York Post.

“Në atë moment mbeta e tronditur dhe më pas fillova të vrapoja”, shtoi ajo.

Ngjarja ka rikthyer vëmendjen te rreziqet që paraqet Volcán de Fuego, një nga vullkanet më aktivë në Amerikën Qendrore, i cili tërheq çdo vit mijëra turistë dhe alpinistë.

By admin5