U mbajt mbledhja e katërt e Këshillit për reformën e administratës publike – miratohen raportet kyçe për progresin e reformave

Sot u mbajt mbledhja e katërt e Këshillit për reformën e administratës publike, e kryesuar nga Kryeministri, prof. dr. Hristijan Mickoski, në të cilën u shqyrtuan dhe u miratuan disa pika të rëndësishme të rendit të ditës. Ndër to ishte Raporti vjetor për vitin 2025 për monitorimin e zbatimit të Strategjisë për reformën e administratës publike (2023–2030) me Planin e Veprimit, si dhe Raporti për administratën publike sipas rekomandimeve të misionit vlerësues të SIGMA-s nga viti 2024 informon Tetovasot.

Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, prezantoi gjetjet kryesore nga të dy raportet, duke u ndalur në progresin e arritur në zbatimin e aktiviteteve reformuese, nivelin e realizimit si dhe sfidat me të cilat përballen institucionet gjatë këtij procesi. Ai theksoi se për herë të parë, Raporti vjetor është përgatitur duke përdorur një mjet të avancuar dhe të modernizuar IT për mbledhjen dhe monitorimin e të dhënave, duke mundësuar ndjekje më të saktë, transparente dhe në kohë të aktiviteteve reformuese.

Sipas Minçevit, gjatë vitit 2025 është arritur përparim i konsiderueshëm në disa fusha prioritare, përfshirë hartimin e politikave, menaxhimin e burimeve njerëzore, rritjen e transparencës dhe digjitalizimin e shërbimeve, gjë që kontribuon në përmirësimin e cilësisë dhe efikasitetit të administratës publike.

“Këshilli për reformën e administratës publike ka rol thelbësor në sigurimin e një qasjeje të koordinuar dhe të qëndrueshme ndaj reformave, përmes përgjegjësisë së përbashkët dhe orientimit të qartë drejt rezultateve”, theksoi ministri Minçev.

Këshilli miratoi gjithashtu konkluzionet me të cilat obligohen institucionet kompetente të vazhdojnë me rishikimin e aktiviteteve në Planin e Veprimit, si dhe me përditësimin në kohë të të dhënave në sistemin për monitorimin e zbatimit të Strategjisë.

Ministria e Administratës Publike mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj avancimit të reformës së administratës publike, përmes koordinimit të vazhdueshëm me institucionet dhe zbatimit konsekuent të prioriteteve strategjike, me qëllim ndërtimin e një administrate moderne, efikase dhe të orientuar drejt qytetarëve.Tetovasot

By admin2