Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani ende duhet të zgjidhin disa çështje kyçe para se të arrihet një marrëveshje përfundimtare lidhur me luftën, ka deklaruar zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance.
I pyetur nga BBC nëse presidenti Donald Trump është afër nënshkrimit të një marrëveshjeje, Vance tha se është ende herët për të thënë “kur ose nëse” palët do ta finalizojnë atë.
Sipas raportimeve, marrëveshja do të zgjasë armëpushimin për 60 ditë dhe do të hapë negociata për të ardhmen e programit bërthamor të Iranit, transmeton Klankosova.tv.
Më herët gjatë së enjtes, zyrtarë amerikanë i thanë BBC-së se të dyja vendet kanë arritur një kornizë marrëveshjeje, e cila pret miratimin nga Donald Trump dhe udhëheqja iraniane.
Megjithatë, agjencia gjysmëzyrtare iraniane “Tasnim” raportoi se marrëveshja ende nuk është finalizuar apo konfirmuar.
Në deklaratën e tij, Vance tha se negociatorët po diskutojnë ende për disa pika të formulimit të marrëveshjes, përfshirë edhe çështjen e pasurimit të uraniumit.
“Ende nuk kemi arritur aty, por jemi shumë afër dhe do të vazhdojmë të punojmë për këtë”, tha ai para gazetarëve.
ShBA-ja prej kohësh kërkon që Irani të ndalojë prodhimin e uraniumit të pasuruar në nivele të larta dhe të heqë dorë nga rezervat ekzistuese, të cilat teorikisht mund të përdoren për krijimin e armëve bërthamore.
Vance u shpreh optimist, duke theksuar se Uashingtoni beson se pala iraniane po negocion “me mirëbesim”.
Që nga hyrja në fuqi e armëpushimit më 8 prill, Trump ka deklaruar disa herë se palët janë pranë një marrëveshjeje dhe se negociatat po ecin përpara, megjithatë deri më tani nuk ka pasur rezultate konkrete.


