Vazhdon “lufta” mes Deas dhe deputetes, publikohen mesazhet e ashpra

Përplasja virtuale mes influenceres Dea Michelle dhe deputetes Zegjine Çaushit po nxehet.

Dea ka publikuar në Instagram një album me imazhe që dëshmojnë rrjedhën e konfliktit, duke i bërë thirrje publike edhe kryeministrit Edi Rama:

“Meqë po bullizohem aktivisht nga një deputete, tregojini pak në komente këtu se çfarë mendimi keni, sepse te profili i saj ka mbyllur komentet dhe na bën bllok. Edi Rama, do na përgjigjesh ti, apo do t’i lësh këta xholat që i përdor për shpërqendrim?”

Në imazhin e parë, Dea tregon fillimin e përplasjes në mesazhe private. Zegjine Çaushi i ka dërguar dy foto krahasuese të Deas duke i shkruar: “Të bësh ironi ti shëmtirë është fundi i botës”.

Dea i është përgjigjur:

“Hahahahahaha o yll, je fiks çfarë pres nga një analfabete funksionale. Unë dhëmbët i drejtova, prandaj s’po e marr personale. Ti si e ke planin, do të mësosh shqip?”, ndërsa mbi imazh ka shtuar në anglisht se nuk i shpik dot këto gjëra dhe se Zeqineja ka marrë foto të montuara si “përgjigje diplomatike” që të ndihet mirë me veten.

Tek imazhi tjetër, Dea ka ironizuar duke përshëndetur të gjitha faqet e saj të adhuruesve (fanpages) dhe ka etiketuar llogarinë e Zegjine Çaushit në mes të tyre.

Nga ana tjetër, në një shkrepje nga profili i deputetes, shihet se kjo e fundit ka publikuar foton e Deas të shoqëruar me një shkrim të gjatë.

Aty Çaushi tregon vështirësitë e shkollimit të saj për të marrë diplomën me nota dhjeta, ndërsa e quan Dean “qenie që turpëron femrat, mish në shitje me flokë e dhëmbë fallco” dhe “idiote të ligë që tallesh me jetimët, të pamundurit dhe hallexhinjtë”, duke e paralajmëruar se tashmë do të merret personalisht me të.

Konflikti ka degraduar edhe më tej kur një ndjekës i ka dërguar Deas njoftimet nga profili i deputetes, meqenëse kjo e fundit e kishte bllokuar.

Ndjekësi i shkruan se Çaushi duhet të dorëhiqet në mënyrën më denigruese, duke aluduar se diplomën e ka të blerë dhe se postimi i saj ka një nënkuptim kërcënues që meriton gjyqin. Në këtë bisedë, Dea i kërkon atij t’i nisë screenshot-et, pasi vetë nuk ka qasje për t’i parë.

Në dy imazhe vijuese, Dea u përgjigjet akuzave në një shkrim me sfond të zi, duke sqaruar se për humorin e zi të para shumë viteve ka kërkuar falje dhe populli ia ka pranuar.

Sipas saj, ky zhanër gjendet edhe në Netflix (si te Dave Chapelle), por ndryshimi i madh qëndron se deputetja po e bën realitet atë skamje për të cilën bëhej humor.

Dea ka vijuar me akuzat duke e pyetur nëse paguhet nga taksat e qytetarëve për ta kërkuar atë në Google e për të bërë montazhe bullizuese, ndërsa i sugjeron hapur të japë dorëheqjen.

Në fund, influencuesja shprehet se është për të ardhur turp që qeveritarët të vihen mbrapa me urrejtje kur dikush jep një koment me edukatë, duke u bërë thirrje ndjekësve që ta raportojnë masivisht profilin e deputetes për bullizëm.

Albumi mbyllet me një ironi të fundit në formë sfide, ku Dea premton 10,000 euro për këdo që arrin të lexojë dot me zë të lartë numrin e gjatë 574’673’902’987, duke e nënshkruar me “XO, Dea Michelle”.

Me këtë kundërsulm publik dhe përfshirjen e kryeministrit, përplasja ka kaluar në tjetër nivel. Mbetet për t’u parë nëse do të ketë një reagim zyrtar nga Zegjine Çaushi apo nëse çështja do të përfundojë në dyert e gjykatave.

By admin4