Pavarësisht disa proceseve zgjedhore, bisedimeve mes liderëve, e deklarimeve të tyre se janë për marrëveshje politike e zhbllokim të situatës, qytetarët e Kosovës s’po shohin gjë tjetër pos krizë pas krize. Rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit, s’prodhoi ndonjë momentum të ri, meqë partitë morën pak a shumë ulëset që kishin edhe në legjislaturën e kaluar. Përveç kësaj, subjektet politike, ani pse me kohë të limituar, pritën qetësisht certifikimin e rezultateve për tu takuar sy më sy, lidhur me çështjen kryesore që ka mbajtur peng vendin tash e sa kohë, Presidentin/en e ri.
Me tu shpallë certifikimi, nisën edhe lëvizjet e politikës. Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, u dërgoi ftesa për takime të ndara kryetarëve të partive të tjera, si atij të Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës, e, atij të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, shkruan Gazeta Express.
Këta të fundit, pa u takuar fare, ia bën të qartë qëndrimin Kurtit; ‘’Plotëso të 6 pikat e kërkuara, marrim pjesë në votimin për president’’. Porse, lideri i VV’së, u shfaq pak i zhgënjyer meqë, AAK’ja s’pranoi takim me të, edhe pse, qëndrimin e tyre e ka të qartë.
Me PDK’në, kryeministri në detyrë, pati një takim. Takimi me udhëheqësin e partisë së dytë më të madhe në vend, Bedri Hamzën, Kurtit i përfundoi shpejt. Edhe nga ky iu bë e qartë se PDK’ja ‘‘qëndron në opozitë’’.
Mundësia e fundit, për një marrëveshje, mbeti me LDK’në. Nga këta të fundit, Kurti takoi kryetarin Lumir Abdixhikun, e ish-presidenten, Vjosa Osmani.
Mbi dy orë zgjati takimi i tyre. Pas të njëjtit, edhe Kurti e Abdixhiku, në deklarimet e tyre para mediave, u shfaqën bukur të rezervuar, duke mos dhënë detaje shumë nga takimi, pasi që siç thanë ata, marrëveshje s’pati, porse, u pajtuan që të kenë takime të tjera.
Po thuajse një javë janë bërë nga takimi i këtyre të fundit. Takimi i ri i paralajmëruar s’ndodhi akoma.
Nga një gatishmëri për krijim institucionesh, qytetarët po shohin prapë një stepje mbrapa të partive.
Ky stagnim lidhet me zhvillimet brenda LDK’së, atje ku, mbi 100 anëtarë, kanë deponuar nënshkrimet për shkarkimin e Abdixhiku.
Madje, për shkak të kësaj situate, edhe vetë Abdixhiku, deklaroi mbrëmë se do i ndërpresë për momentin, angazhimet e tij për formimin e institucioneve.
Që ka ngadalësim të zhvillimeve në këtë drejtim, u konfirmua edhe nga u.d presidentja Albulena Haxhiu. Nga Presidenca, kanë thënë se, Haxhiu vlerëson se, partive duhet t’u jepet kohë dhe hapësirë e nevojshme për arritjen e marrëveshjes.
“Duke pasur parasysh që afati për zgjedhjen e Presidentit është 60 ditë dhe fillon nga dita e konstituimit të Kuvendit, U.D. Presidentja Haxhiu vlerëson se partive politike duhet t’u lihet koha dhe hapësira e nevojshme për bisedime dhe për arritjen e marrëveshjes që i duhet vendit për zgjedhjen e presidentit. U.D. Presidentja po vepron brenda kompetencave dhe afateve kushtetuese, duke synuar që Kuvendi i ri të konstituohet me një perspektivë reale për krijimin e institucioneve dhe për shmangien e një bllokade tjetër”, u tha mes tjerash nga presidenca.
Pos zhvillimeve në LDK, e kohës së limituar për konstituim e zgjedhjen e presidentes, situata ‘komplikohet’ edhe më tej, nga qëndrimet e VV’së për kryetarin/en e ri/re të shtetit.
Përderisa, LDK beson së ish-presidentja Vjosa Osmani, është një kandidate e duhur edhe për një mandat të dytë, qëndrim krejt tjetër ka VV’ja.
Është deputeti i zgjedhur i kësaj partie, Adnan Rrustemi, ai që ka shfaqur qëndrimin e VV’së, lidhur me emrin e Osmanit për presidente.
Rrustemi, ka deklaruar se Osmani nuk është figurë konsensuale për postin e presidentes së Kosovës, duke shtuar se duhet një figurë ‘’jashtëpartiake’’.
‘’…nëse vazhdojnë të mbahen pozicione të tilla pozitë-opozitë, atëherë ne duhet ta gjejmë një kompromis për presidentin e Republikës. E për këtë jemi për një figurë konsensuale, jashtëpartiake, domethënë mbi palët, që s’i përket askujt. Domethënë, natyrisht me disa kritere të integritetit, përgatitjes, kontributit, por që nuk është, ose të paktën është jashtë kësaj, le të themi, polemikave e debateve të ashpra që kanë ekzistuar në këto dy vjet në Kosovë. Zonja Osmani nuk është një figurë e tillë, domethënë nuk është figurë konsensuale. Ajo është tashmë një politikane aktive, ka qenë bartëse e listës së një partie politike dhe është deputete e Kuvendit të Kosovës. Prandaj, po e përsëris, nuk është figurë konsensuale në kuadër të përpjekjes për një president jopartiak’’, ka deklaruar Rrustemi.
Ndryshe, për zgjedhjen e presidentit nevojitet shumica prej 80 deputetëve për dy raunde votimi, ndërsa në raundin e tretë, kryetari i shtetit mund të zgjedhjet me shumicë prej 61 votave, porse, sërish kërkohet pjesëmarrje në votim prej 80 deputetëve. /GazetaExpress



