VLEN ka reaguar ndaj akuzave të vazhdueshme të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), duke publikuar, siç thotë, një komunikatë zyrtare të Presidencës së Serbisë, për të cilën pretendon se dëshmon temat e diskutuara gjatë një takimi mes presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe ish-ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.
Sipas VLEN-it, në komunikatën e Presidencës së Serbisë përmendet edhe çështja e “avancimit të pozitës së serbëve në Maqedoninë e Veriut”, gjë që, sipas këtij koalicioni, dëshmon se BDI nuk e kishte prioritet çështjen shqiptare gjatë kohës sa ishte në pushtet.
Në reagim, VLEN vlerëson se ky dokument “rrëzon narrativën” e BDI-së lidhur me akuzat për të ashtuquajturën “botë serbe”, duke pretenduar se ata që sot akuzojnë kundërshtarët politikë kanë zhvilluar më herët takime ku janë diskutuar tema që, sipas tyre, nuk lidhen me prioritetet e shqiptarëve.
“BDI nuk mund t’i mbulojë mëkatet me konferenca për shtyp e me shpifje. Dokumentet nuk gënjejnë. VLEN nuk merret me propagandë. Ne flasim me fakte”, thuhet në reagimin e koalicionit.
BDI deri më tani nuk ka reaguar ndaj këtyre pretendimeve të VLEN-it.




