Partitë politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut kanë reaguar ashpër dhe me tone të ndryshme lidhur me protestën e paralajmëruar të studentëve shqiptarë më 18 maj, të cilët kërkojnë që provimi i jurisprudencës të mbahet në gjuhën shqipe, përcjell TV21. Nga VLEN akuzojnë drejtpërdrejt BDI-në se po përpiqet ta instrumentalizojë revoltën studentore për interesa politike dhe rikthim në pushtet
“BDI është e shkërmoqur. Nuk mund të rikuperohet pas dënimit që shqiptarët ia dhanë me votë. Prandaj po bën atë që ka bërë gjithmonë kur i digjet toka nën këmbë, e gjuan gurin dhe e fsheh dorën. Pas 20 vjetësh pushtet mbi shpinën e shqiptarëve, me të njëjtët karrigaxhinj të përhershëm në krye, kjo parti i ka përveshur mëngët si e tërbuar pas pushtetit. Si hipokrite që është, bashkë me disa “studentë” të futur në lojën e saj të pistë politike, po përpiqet t’i përdorë pankartat studentore si karrem për rikthim në pushtet. Bujar Osmani, Arbër Ademi, Blerim Bexheti dhe tajfa e tyre nuk e kanë hallin e studentit. Nuk e kanë hallin e gjuhës shqipe. E kanë hallin e vetes. E kanë hallin e pushtetit, privilegjeve dhe karrierave të dështuara, prandaj studentin e manipulojnë dhe e instrumentalizojnë për ta shfrytëzuar si mjet drejt pushtetit. Provimi i jurisprudencës asnjëherë nuk është dhënë në gjuhën shqipe dhe këtë e pranojnë edhe vetë. Atëherë pse nuk e zgjidhën kur kishin gjithçka në dorë? Pse nuk e bënë kur kishin ministra, deputetë, kryeministër teknik, kryeparlamentar, drejtorë dhe pushtet absolut? Sepse nuk u interesonte. Sepse jetonin në një botë tjetër, në botën e luksit, hajnisë dhe agallëkut mbi kurrizin e shqiptarëve. Ne kemi thënë qartë se provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe dhe shumë çështje tjera që BDI i ka lënë përgjysmë, do t’i zgjidhim. Siç e zgjidhëm me ligj çështjen e medresantëve, të cilët këta i gënjyen, njëjtë do t’i zgjidhim edhe çështjet e tjera që BDI i përdori vetëm për propagandë. Prandaj u bëjmë thirrje studentëve të sinqertë të mos lejojnë të përdoren si mish për top nga Bujar Osmani, Arbër Ademi, Blerim Bexheti, Fatmir Besimi, Talat Xhaferi dhe një grusht njerëzish që nuk mund të jetojnë pa agallëk politik. Shqiptarët e kanë dhënë verdiktin me votë. BDI-së i ka skaduar koha”, thonë nga VLEN.
Nga ana tjetër, BDI ka mohuar se protesta është partiake dhe ka deklaruar se vetëm i është përgjigjur thirrjes së studentëve për mbështetje, ashtu siç kanë bërë edhe subjekte dhe organizata të tjera.
“BDI i është përgjigjur thirrjes së hapur të studentëve për mbështetje, ashtu siç kanë bërë shumë parti, organizata dhe individë jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por në gjithë rajonin dhe më gjerë. Kjo nuk është protestë partie dhe askush nuk mund ta përvetësojë revoltën e studentëve. Janë fëmijët tanë që po protestojnë për barazi, për respektimin e gjuhës shqipe, për demokraci multietnike dhe për të ardhmen evropiane të shtetit. Në vend që të merren me etiketime dhe alibi politike, mirë është ta dëgjojnë mesazhin që po japin studentët. Kjo është një kambanë alarmi për secilin që e do këtë vend dhe beson në barazi”, thonë nga BDI.
Mbështetje për protestën ka shprehur edhe Aleanca për Shqiptarët – krahu i Ziadin Selës, nga ku protesta studentore është cilësuar si një kauzë kombëtare.
“Kushtrimi studentor duhet të mbështetet nga çdo shqiptar! Protesta e organizuar nga studentët nuk është një protestë e thjeshtë, nga një grup dhe vetëm për një problem. Ajo është inicuar nga shtresa më e fuqishme e shoqërisë tonë, ndërsa duhet të përkrahet nga të gjithë shqiptarët. Kjo është një kauzë për Gjuhën Shqipe, për Identitetin dhe Dinjitetin tonë Kombëtar. Të dashur anëtarë, aktivistë, mbështetës të subjektit tonë e ju qytetarë pa dallime partiake. T’i japim mbështetje zërit studentor, një zë që historikisht ju ka prirë proceseve më të rëndësishme dhe arritjeve historike të popullit tonë. Të dalim në mbrojtje të të drejtave tona që i fituam me gjak dhe me shumë mund, punë e sakrificë, e të dëshmojmë se jemi të zot të vetes dhe jo të nënshtruar!”, thonë nga ASH-Sela.
Kjo është protesta e dytë që studentët shqiptarë po organizojnë në lidhje me çështjen e provimit të jurisprudencës, pas asaj që u mbajt më 6 prill të këtij viti.


