VLEN: Procedura e re për emërtimin e rrugëve në Tetovë po zhvillohet sipas ligjit

Bekim Sali nga VLEN deklaroi se Gjykata Kushtetuese e ka shfuqizuar vendimin për emërtimin e rrugëve në Tetovë, pasi, sipas tij, gjatë miratimit të tij nuk janë respektuar ligjet dhe procedurat përkatëse percjell agjencia e lajmeve INA.

Në deklaratën e tij, Sali tha se vendimi i vitit 2007 ishte miratuar vetëm nga këshilltarët komunalë, pa marrë pëlqimin e Qeverisë, duke shtuar se për këtë arsye ai ishte miratuar në mënyrë joserioze dhe në kundërshtim me procedurat ligjore.

Ai bëri të ditur se Komuna e Tetovës tashmë ka nisur një procedurë të re për ndryshimin e emrave të rrugëve, e cila, sipas tij, po zhvillohet në përputhje me ligjet dhe rregulloret aktuale në fuqi.

Sali vlerësoi se protestat e BDI-së janë të motivuara politikisht. Sipas tij, problemet që lidhen me emërtimin e rrugëve janë pasojë e, siç u shpreh ai, “improvizimeve” gjatë periudhës së qeverisjes së kësaj partie.

Në të njëjtën paraqitje, Sali deklaroi se qytetarët nuk kanë nevojë për zgjedhje të reja për Këshillin Komunal të Tetovës, pasi, sipas tij, një proces i tillë do të sillte rrethana të tjera në zhvillimin e qytetit.

Ai shtoi se VLEN, si pjesë e koalicionit qeveritar, ka realizuar 308 projekte gjatë 24 muajve të fundit, duke theksuar se fokusi kryesor ka qenë infrastruktura.

Sali përmendi gjithashtu Korridorin 8, marrëveshjen për autostradën drejt Bllacës, mbështetjen për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe punësimin dhe avancimin e mbi 2.500 shqiptarëve në administratën publike.(INA)

By admin7