Votat për Presidentin e bëjnë Kurtin lazëm përsëri për partitë opozitare, sot takon Hamzën e Abdixhikun

Dy krerët e partive më të mëdha opozitare, Bedri Hamza dhe Lumir Abdixhiku, pas takimeve të mbajtura me Kryesitë e partive të enjten, kanë vendosur që t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së liderit të VV’së, Albin Kurti, për t’u takuar, shkruan Gazeta Express.

Bedri Hamza ka treguar të enjten se do të takohet mëngjesin e sotëm në orën 09:00.

“Unë ja ktheva shkresën që PDK është e gatshme të takohet nesër në orën 09:00 në ambientet e Kuvendit”, ka deklaruar Hamza, duke treguar për opsionet e tjera të kohës për takim që ishin ofruar.

Pas mbledhjes së kryesisë të mbajtur të enjten, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka konfirmuar se do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së Kurtit, duke theksuar se ky ishte komunikimi i parë mes LVV-së dhe LDK-së.

Ai ka thënë se për orën e takimit do të dakordohen ekipet.

“Besoj që kohën e takimeve do ta aranzhojnë ekipet tona. Por, ky le të jetë një takim i parë. Do të provoj të takohem edhe me liderët e partive politike”, ka deklaruar Abdixhiku, duke shtuar se dëshiron trajtim gjithpërfshirës për krijimin e të gjitha institucioneve.

Abdixhiku ka shtuar se takimi me Kurtin është propozuar që të jetë i formatit 1+1, por shtoi se dëshiron që të jetë 2+2.

I pyetur nëse LDK-ja do të insistojë që ta ketë presidentin, pasi partia garoi me ish-presidenten Vjosa Osmani për këtë post, Abdixhiku ka thënë dje se në këtë fazë nuk do të flasin për emra.

“Do të dëgjojmë edhe palën tjetër”, ka thënë Abdixhiku.

Derisa kreu i AAK-së, Ardian Gjini, ka thënë se s’ka nevojë për takim, meqë qëndrimi i AAK’së mbetet i njejti, plotësim i 6 kushteve nga Kurti në këmbim të kuorumit për presidentin.

Zgjedhjet e 7 qershorit janë mbajtur pas dështimit të partive politike për arritjen e një marrëveshje për presidentin. Kjo çështje do të jetë vitale që të zgjidhet, pasi që vendi rrezikon edhe një palë zgjedhje të tjera.

By admin7