Xi Jinping kundër pavarësisë së Tajvanit, Taipei akuzon Kinën për kërcënim rajonal

Tensionet mes Kinë dhe Tajvan janë rritur sërish pasi presidenti kinez Xi Jinping deklaroi se pavarësia e Tajvanit është “e papajtueshme” me paqen.

Reagimi i Taipeit ishte i menjëhershëm. Zëdhënësja e qeverisë tajvaneze, Michelle Lee, akuzoi Pekinin se është “burimi i vetëm” i pasigurisë në Ngushticën e Tajvanit dhe në rajonin Indo-Paqësor. “Kërcënimi ushtarak i Kinës është shkaku kryesor i tensioneve në rajon”, deklaroi ajo, duke shtuar se forcimi i mbrojtjes dhe bashkëpunimi me aleatët mbeten thelbësore për sigurinë.

Reklame

Komentet e Xi erdhën gjatë një bisede me presidentin amerikan Donald Trump, ku lideri kinez e cilësoi Tajvanin si “çështjen më të rëndësishme” në marrëdhëniet mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara.

Sipas mediave shtetërore kineze, Xi paralajmëroi se menaxhimi i gabuar i çështjes së Tajvanit mund të krijojë “një situatë shumë të rrezikshme”.

Partia Komuniste e Kinës e konsideron Tajvanin pjesë të territorit të saj dhe ka deklaruar vazhdimisht se ishulli duhet të bashkohet me Pekinin, edhe me forcë nëse është e nevojshme. Nga ana tjetër, Tajvani qeveriset në mënyrë demokratike dhe gëzon mbështetje të fortë jozyrtare nga Shtetet e Bashkuara.

By admin5