Prishtinë – Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, duket se po vazhdon të mbajë qëndrimin e saj kundër përfshirjes së vendit në rrjetin rajonal të gazit të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas një letre të siguruar nga media KOHA, Ministria e Ekonomisë i është drejtuar Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë me një propozim alternativ, duke shprehur interes për zhvillimin e projekteve që lidhen me gazifikimin e linjitit, një prej burimeve kryesore energjetike të Kosovës.
Dokumenti, i dërguar në muajin prill nga ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tek e ngarkuara me punë e SHBA-së, Anu Prattipati, paraqet vizionin e Qeverisë për zhvillimin e sektorit energjetik duke u mbështetur në resurset vendore.
Në letër theksohet se Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka operuar në të kaluarën një fabrikë të gazifikimit të tipit Lurgi dhe se ekziston interes për të shqyrtuar mundësinë e ringjalljes së një objekti të tillë me mbështetjen e programeve amerikane të energjisë.
“Ne do ta mirëpritnim mundësinë për të eksploruar fizibilitetin e ringjalljes së një objekti të tillë me programet e mbështetjes së energjisë të SHBA-së”, thuhet në dokument.
Zhvillimi vjen në një kohë kur Shtetet e Bashkuara kanë promovuar vazhdimisht integrimin e Kosovës në infrastrukturën rajonale të gazit si pjesë e strategjisë për diversifikimin e burimeve energjetike dhe forcimin e sigurisë energjetike në rajon.
Publikimi i kësaj letre pritet të nxisë debat të ri politik dhe ekonomik mbi drejtimin që Kosova duhet të ndjekë në sektorin energjetik dhe raportet me partnerët strategjikë ndërkombëtarë.
Faktiditor.info
“Zbulohet letra: Qeveria Kurti refuzon rrjetin amerikan të gazit, kërkon investime në qymyr”.

