Zori i madh për shlyerje gjurmësh: “Lule Gjeli” i fshiu 3 mijë e 200 postime për një ditë

3 mijë e 200 postime brenda një dite është bilanci i ‘dëlirjes’ së përmbajtjes famëkeqe ndaj oponentëve dhe kritikëve të Vetëvendosjes nga profili “Lule Gjeli.”

Për brenda një dite nga 5 mijë e 100 postime të regjistruara në profilin e tij, numri ka rënë në 1 mijë e 900.

Profilit sot, me shlyerje të postimeve (1.9k posts) dhe profili deri dje (5.1k posts):

Tashmë “Lule Gjeli” po trajtohet me intenzitet nga Prokuroria Speciale dhe identiteti i tij besohet veçse të jetë përcaktuar edhe nga organet.

Profili famëkeq për gjashtë vite me radhë ka sulmuar në trajtat më të rënda kundërshtarët politik të Vetëvendosjes, deri edhe në përmbajtje të shpifjeve seksuale, siç qe rasti më i fundit ndaj Vjosa Osmanit.

Prokuroria Speciale ka pranuar dëshmi mbi të edhe nga figura politike të vendit si Haki Abazi, i cili njoftoi ta ketë takuar edhe në Delaware të ShBA-së.

Abazi e përkufizoi atë si shembullor të “luftës hibride” të Vetëvendosjes në degradim të reputacioneve dhe emrave të figurave publike.

Dhe krejt kjo, sipas tij, me urdhër të Albin Kurtit dhe Dejona Mihalit.

Për më tepër, Abazi konstatoi se personi në fjalë që e zotëron profilin e “Lule Gjelit” ka përshtatshmëri me fotografinë e publikuar të Gent Prokshit.

Ai, edhe atij, i ishte prezantuar herë si “Taulent” e herë “Gent,” siç e tregoi në Debat Plus disa natë më parë.

Për afro gjashtë vite, profili “Lule Gjeli” ka publikuar përmbajtje fyese ndaj kundërshtarëve politikë të Vetëvendosjes, përfshirë sulme të rënda seksuale dhe morale ndaj grave në politikë.

Prokuroria Speciale ka hapur hetim dhe po e trajton rastin. Sipas burimeve të Nacionale, pas profilit dyshohet se qëndron Gent Prokshi, shqiptar nga Kosova që jeton në SHBA.

Prokshi dyshohet se ka afërsi me figura drejtuese të Vetëvendosjes. “Lule Gjeli” është ndër profilet më aktive në sulmet online ndaj kundërshtarëve politikë të partisë në pushtet.

Ish-zëvendëskryeministri Haki Abazi është ofruar të dëshmojë për personin që ai thotë se qëndron pas profilit. Ai tha se e ka takuar në Delaware më 2021.

Abazi e përshkroi “Lule Gjelin” si pjesë të një “lufte hibride” dhe akuzoi se profili ka sulmuar edhe zyrtarë amerikanë, përfshirë ish-zyrtarin Gabriel Escobar.

“Lule Gjeli është në shërbim të Kurtit dhe Dejona Mihalit në kuadër të LVV-së”, shkroi Abazi, duke kërkuar hetim edhe për personat që mund të kenë urdhëruar aktivitetin.

Ai pretendoi se profili kishte ndikuar në “prishjen e marrëdhënieve me SHBA-në” përmes sulmeve dhe dezinformimit ndaj kundërshtarëve politikë.

Publikimi i identitetit të dyshuar shkaktoi reagime politike. Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se edhe ai ishte sulmuar nga ky profil.

Rama kërkoi sqarime nga BIRN Kosova, KALLXO.com dhe Jeta Xharra për raportet e mundshme me autorin e profilit. Pastaj ua ndërpreu shfrytëzimin e hapësirave të dhëna nga Komuna e Prishtinë si pasojë e lidhjeve të tyre të dyshuara me personin.

Ai parashtroi pyetje për identitetin e autorit, kohëzgjatjen e bashkëpunimit, pagesat dhe burimet eventuale të financimit.

Nga “Kallxo”-i thanë se e dinë identitetin e “Lule Gjeli”-t por se nuk ia tregojnë publikut.

Për publikimin e një opinioni, thanë se ia kanë botuar me pseudonim dhe se kanë pasur secilën të drejtë ta bëjnë këtë, dhe e arsyetuan se “ka mundur të humbas vendin e punës.”

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, kërkoi që hetimi të mos ndalet vetëm te administratori i profilit.

“Hetimi nuk duhet të ndalet te administratorët e profileve”, shkroi Çitaku, duke kërkuar zbardhjen e organizatorëve, financuesve dhe urdhëruesve.

Edhe AAK kërkoi identifikimin e personave apo grupeve që mund të kenë qenë pjesë e një skeme të organizuar.

By admin7