Zyrtare: Zoran Ristoski në krye të MTV-së – nis mandati i ri më 24 prill!

Me vendim të Këshillit Programor të MTV, Zoran Ristoski nga Shkupi, i diplomuar në drejtësi, është zgjedhur drejtor i institucionit, thuhet në vendimin zyrtar.

Sipas dokumentit, drejtori zgjidhet për një periudhë prej tre vitesh, me mundësi rizgjedhjeje, ndërsa mandati i tij do të fillojë më 24 prill 2026.

Përzgjedhja është bërë pas një konkursi publik të shpallur më 24 mars 2026, i cili u publikua në programet dhe faqen zyrtare të MTV-së, si dhe në gazetat ditore, në përputhje me dispozitat ligjore dhe statutore. Pas përfundimit të procedurës dhe shqyrtimit të aplikimeve, anëtarët e Këshillit Programor zhvilluan votimin, ku Ristoski u zgjodh me shumicë votash.

Në arsyetimin e vendimit thuhet se kandidati i përzgjedhur ka ofruar programin e punës me vlerësimin më të lartë. Programi përfshin zhvillimin e shërbimeve programore, rritjen e prodhimit vendor, forcimin e rrjetit të korrespondentëve, transformimin dixhital, modernizimin teknologjik dhe sigurimin e stabilitetit financiar të institucionit.

Dokumenti gjithashtu thekson se gjatë përzgjedhjes janë marrë në konsideratë kualifikimet profesionale, përvoja menaxheriale dhe aftësitë organizative të kandidatit.

Vendimi hyn në fuqi me detyrimin për t’u shpërndarë dhe zbatuar nga sektorët dhe shërbimet kompetente brenda MTV-së, raporton Fakti Ditor.

By admin