Akrobacionet politike të Albena Reshitajt – nga AKR, në AAK, në LVV, në listën e Osmanit

Nga një kërkim i thjeshtë në Google për emrin e Albena Reshitajt, nuk është e qartë se cilës parti politike ajo i përket aktualisht.

Për ta kuptuar këtë, nevojitet një hulumtim më i thellë për shkak të numrit të madh të raportimeve mbi lëvizjet e saj politike gjatë viteve të fundit.

Reklame

Vetëm nga viti 2019 e deri më sot, brenda rreth shtatë vitesh, Reshitaj ka kaluar nëpër pesë subjekte të ndryshme politike.

Së fundmi, ajo e braktisi partinë Guxo për t’iu bashkuar listës së ish-presidentes Vjosa Osmani.

Ndonëse lista nuk është zyrtarizuar ende, në zgjedhjet e 7 qershorit, ish-deputetja pritet të garojë për deputete si pjesë e përbërjes së ‘Listës Osmani’ nën siglën e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Para se të largohej nga Guxo, ish-ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) ishte deputete në Grupin Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje. Si pjesë e koalicionit në pushtet, LVV-Guxo, ajo garoi për deputete në dy palë zgjedhjet e fundit parlamentare (shkurt dhe dhjetor 2021).

Zakonisht, lëvizjet e Reshitajt kanë qenë të kalkuluara dhe të lidhura me partitë në pushtet.

Para se të aderonte në partinë e Faton Pecit dhe Donika Gërvallës, kishte qenë pjesë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Këtij subjekti i ishte bashkuar befasisht në vitin 2019. Ishte dorëhequr nga Aleanca për Kosovën e Re dhe kishte aderuar në AAK-në e asokohe kryeministrit Ramush Haradinajt.

Haradinaj e kishte emëruar Reshitajn këshilltare në kabinetin e kryeministrit.

Por, dy vjet më vonë, raportet e saj me Haradinajn ishin prishur brenda natës kur Reshitaj kishte dalë kundër linjës së partisë në seancën e zgjedhjes së presidentit të 3 prillit, 2021. Kishte votuar pro kandidaturës së Vjosa Osmanit, presidente.

Ramush Haradinaj kishte thënë se ajo nuk do të vazhdonte të ishte pjesë e AAK-së pas votimit të Osmanit për presidente. Megjithatë, ish-ministrja kishte qëndruar si e pjesë e Grupit Parlamentar të AAK-së në Kuvendin e Kosovës deri në vitin 2024 kur i ishte bashkuar zyrtarisht partisë Guxo.

Para vitit 2019, Reshitaj kishte shërbyer në funksione të ndryshme në Aleancën Kosova e Re (AKR) të Behgjet Pacollit, i cili i kishte besuar për herë të parë post të lartë politik, atë të ministres në Qeverinë e Kosovës.

Me partinë e Pacollit, Reshitaj ishte deleguar në postin e ministres së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, të cilën e kishte ushtruar për një vit – nga shtatori i vitit 2017, deri në gusht të vitit pasues. /Paparaci.com

By admin7