Presidenti i Finlandës, Stubb: Europa duhet të nisë dialogun me Rusinë

Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, deklaron se Europa duhet të marrë një rol më aktiv në përpjekjet diplomatike për Ukrainën, duke hapur një kanal komunikimi me Moskën dhe duke koordinuar një strategji të përbashkët mes vendeve europiane.

Në një intervistë të zhvilluar në pallatin presidencial në Helsinki, Stubb tha se aktualisht ekzistojnë tre skenarë të mundshëm për luftën në Ukrainë: vazhdimi i konfliktit, arritja e një armëpushimi të ndjekur nga një marrëveshje paqeje, ose kolapsi i njërës prej palëve, që sipas tij mund të jetë Rusia.

Reklame

“Besoj se një marrëveshje paqeje nuk është ende në tryezë, të paktën jo këtë vit. Nëse politika amerikane ndaj Rusisë dhe Ukrainës nuk përputhet me interesat e Europës, atëherë Europa duhet të angazhohet drejtpërdrejt. Ka ardhur koha të fillojmë të flasim me Rusinë”, u shpreh ai.

Stubb theksoi se çdo nismë duhet të koordinohet mes vendeve kryesore europiane, sidomos Gjermanisë, Francës, Italisë, Britanisë së Madhe, Polonisë, si dhe vendeve nordike e baltike.

“Europa duhet të marrë më shumë përgjegjësi”

Presidenti finlandez komentoi edhe shqetësimet për mundësinë e një tërheqjeje të pjesshme të trupave amerikane nga Europa, pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump.

Sipas Stubbit, SHBA-të nuk do të largohet plotësisht nga Europa, pasi prania ushtarake në kontinent i shërben projeksionit global të fuqisë amerikane.

“Trupat amerikane nuk janë në Europë vetëm për të na mbrojtur ne, por edhe për të garantuar rolin global të Amerikës”, tha ai.

Megjithatë, ai pranoi se Europa duhet të marrë më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e saj dhe mbështeti rritjen e shpenzimeve ushtarake nga vendet europiane.

NATO dhe mbrojtja europiane

Stubb u shpreh se siguria europiane duhet të mbështetet njëkohësisht te NATO-ja dhe te Bashkimi Europian.

“Politika e jashtme, siguria dhe mbrojtja ecin së bashku. Nuk është çështje zgjedhjeje mes NATO-s dhe Bashkimit Europian, por nevojë për të dyja”, deklaroi ai.

Ai vlerësoi gjithashtu propozimin e Francës për zgjerimin e “ombrellës” bërthamore europiane, por nënvizoi se edhe garancitë bërthamore amerikane mbeten thelbësore për sigurinë e kontinentit.

Kritika ndaj politikës së jashtme amerikane

Në intervistë, Stubb foli edhe për ndryshimet në politikën e jashtme amerikane gjatë presidencës Trump, duke thënë se marrëdhëniet mes Europës dhe SHBA-së po kalojnë një periudhë të vështirë.

Sipas tij, administrata amerikane po ndjek një qasje më të njëanshme dhe më pak të fokusuar te aleancat tradicionale.

“Europa dhe Amerika kanë ende fusha ku mund të bashkëpunojnë, si mbrojtja dhe teknologjia, por kemi dallime të mëdha për klimën, tregtinë dhe institucionet ndërkombëtare”, tha presidenti finlandez.

Reforma e OKB-së dhe rendi botëror

Stubb kërkoi edhe një reformim të thellë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, duke propozuar zgjerimin e Këshillit të Sigurimit, kufizimin e të drejtës së vetos dhe pezullimin e vendeve që shkelin Kartën e OKB-së.

Ai paralajmëroi se bota po lëviz drejt një sistemi gjithnjë e më shumë të bazuar në rivalitetin mes fuqive të mëdha dhe jo te bashkëpunimi shumëpalësh.

“Demokracia dhe shteti ligjor nuk janë të garantuara përgjithmonë. Ato duhet të mbrohen çdo ditë”, përfundoi presidenti finlandez.

By admin5