Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, ka bërë të ditur se është arrestuar një person i dyshuar për planifikimin e një atentati ndaj tij dhe ministrit të Mbrojtjes.
Ministria e Brendshme e vendit kishte raportuar më herët se policia kishte marrë informacione të besueshme për sulme të mundshme ndaj Tuskut dhe Wladyslaw Kosiniak-Kamysz, raporton BBC.
Shërbimet e sigurisë mbajtën një takim të jashtëzakonshëm të dielën, pasi morën informacione për sulmet e planifikuara. Një zëdhënës tha se zyrtarët po e trajtonin kërcënimin me “seriozitet maksimal”.
Tusk falënderoi policinë për “veprimin e shpejtë dhe vendimtar” në arrestimin e të dyshuarit.
I dyshuari, shtetas polak, u arrestua në rajonin e Silesisë së Poshtme, bëri të ditur për mediat lokale Jacek Dobrzynski, zëdhënës i Koordinatorit të Shërbimeve Speciale.
“Në këtë rast, bëhet fjalë për një gjasë të lartë që këto kërcënime të mund të realizohen”, tha ai.
Plani u zbulua pasi Shërbimi i Mbrojtjes së Shtetit, përgjegjës për sigurinë e ministrave, ia përcolli policisë një email që përmbante informacione për sulmin e mundshëm, tha Karolina Galecka, zëdhënëse e Ministrisë së Brendshme.
Tusk është kryeministër i Polonisë që nga viti 2023, pasi e kishte mbajtur këtë detyrë edhe nga viti 2007 deri më 2014.
Ai shërbeu si president i Këshillit Evropian nga viti 2014 deri më 2019.



