Trajneri brazilian Sylvinho nuk do të jetë më në krye të Kombëtares shqiptare të futbollit, pasi ka vendosur të largohet nga drejtimi i skuadrës.
Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) pritet të zyrtarizojë ndryshimin në stol dhe të prezantojë pasardhësin e tij në një konferencë për shtyp të planifikuar për sot në orën 10:00.
Largimi i teknikut brazilian vjen në një moment të rëndësishëm për kuqezinjtë, të cilët në fillim të muajit qershor kanë të programuara dy ndeshje miqësore: kundër Izraelit më 3 qershor dhe kundër Luksemburgut më 6 qershor.
Nën drejtimin e Sylvinho-s, Shqipëria arriti një rrugëtim historik, duke u kualifikuar për herë të dytë në historinë e saj në një Kampionat Evropian (Euro 2024).
“Fjala e fundit i takon Sylvinho-s, ka në tavolinë një ofertë”. Kështu u shpreh Armand Duka, presidenti i FSHF-së, në analizën e tij pas përfundimit të fazës “play-off”, në kualifikueset e Botërorit. Duka ishte i qartë se me apo pa Sylvinho-n, fati i stolit kuqezi do të vendosej përpara miqësoreve të muajit qershor.
Tekniku brazilian ka qenë i pranishëm këtë ditë në Tiranë, por jo për të diskutuar mbi kushtet e kontratës së re, por burime për News24 bëjnë me dije se mes Dukës dhe Sylvinho-s vendimi është marrë kohë më parë. Mungon komunikimi zyrtar, por Sylvinho e ka mbyllur me FSHF, me këta të fundit që kanë njoftuar një konferencë të jashtëzakonshme ditën e sotme në orën 10:00 për të bërë publike mos rinovimin e kontratës me Sylvinhon dhe prezantimin e trajnerit të ri të ekipit përfaqësues. (INA)


