Konjufca: Daçiq kërcënon me Prizrenin, Radoiçiqi ecën i lirë – Serbia s’mund të pretendojë paqe

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka reaguar ndaj deklaratave të zyrtarëve serbë për Kosovën, duke vlerësuar se ato dëshmojnë vazhdimësinë e ambicieve territoriale të Beogradit ndaj Republikës së Kosovës.

Në një postim, Konjufca ka përmendur deklaratën e Ivica Daçiqit, i cili gjatë një tubimi zgjedhor në Serbi ka thënë se flamuri serb “herët a vonë do të valëvitet mbi Prizren”, transmeton IndeksOnline.

Sipas Konjufcës, deklarata të tilla dëshmojnë se ambiciet territoriale të Serbisë ndaj Kosovës nuk janë çështje e së kaluarës.

Ai ka përmendur edhe paraqitjen publike të Milan Radoiçiqit në tubimin e partisë së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në Kragujevc, ku, sipas tij, ishte i pranishëm edhe Danilo Vuçiq, djali i presidentit serb.

“Serbia nuk mund të pretendojë se synon paqen dhe integrimin evropian, ndërkohë që zyrtarët e saj të lartë sfidojnë hapur sovranitetin e Republikës së Kosovës dhe organizatori i pranuar i sulmit vdekjeprurës terrorist në Banjskë mbetet i lirë, duke u shfaqur publikisht krah familjes së presidentit në vend që të përballet me drejtësinë” shkroi Konjufca.