Të paktën 131 persona kanë humbur jetën nga shpërthimi i Ebola-s në Republikën Demokratike të Kongos, ndërsa janë raportuar mbi 513 raste të dyshuara, sipas autoriteteve lokale dhe organizatave ndërkombëtare të shëndetit.
Zyrtarët kongolezë bëjnë me dije se rastet po përhapen në zona të reja, duke shtuar frikën për një përshkallëzim të situatës shëndetësore në rajon.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur shpërthimin një emergjencë ndërkombëtare, ndërsa paralajmëron se numri real i rasteve mund të jetë shumë më i lartë se ai i raportuar deri tani.
Virusi aktual i Ebola-s është lloji Bundibugyo, për të cilin ende nuk ekziston një vaksinë apo trajtim i miratuar.
Rastet janë identifikuar në disa zona të Kongos lindore, përfshirë Nyakunde, Butembo dhe qytetin e Gomës, ndërsa dy raste të konfirmuara dhe një viktimë janë raportuar edhe në Ugandë. Mes të infektuarve ndodhet edhe një mjek amerikan, Peter Stafford, i cili u ekspozua ndaj virusit gjatë trajtimit të pacientëve në Kongo. Ai pritet të dërgohet në Gjermani për trajtim të specializuar.
Dy mjekë të tjerë të ekspozuar ndaj virusit, përfshirë bashkëshorten e tij, ndodhen në karantinë dhe nuk kanë shfaqur simptoma.
Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) kanë bërë të ditur se po monitorojnë situatën dhe po organizojnë evakuimin e sigurt të disa qytetarëve amerikanë të ekspozuar ndaj virusit.
SHBA ka vendosur gjithashtu kufizime të reja hyrjeje për personat që kanë udhëtuar së fundmi në Republikën Demokratike të Kongos, Ugandë dhe Sudanin e Jugut.
OBSH paralajmëron se ekziston rrezik i konsiderueshëm për përhapje lokale dhe rajonale të virusit, ndërsa u ka kërkuar vendeve fqinje të forcojnë kontrollet kufitare dhe gatishmërinë në sistemet shëndetësore.
Ekspertët kujtojnë se Ebola transmetohet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me lëngjet trupore të personave të infektuar, ndërsa simptomat shfaqen zakonisht brenda dy deri në 21 ditësh pas ekspozimit.


