Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural është përballur me një sërë gjetjesh serioze nga Zyra Kombëtare e Auditimit, të cilat ngritin dyshime për mangësi në prokurim, menaxhim të kontratave dhe planifikim financiar.
Një nga gjetjet më shqetësuese lidhet me procedurën e prokurimit për projektin “Mbjellja e farave për prodhimin e fidaneve dhe mirëmbajtja e tyre”, në vlerë prej 97,667 eurosh. Auditori ka konstatuar se kontrata i është dhënë një operatori ekonomik edhe pse ai nuk i kishte përmbushur kriteret teknike dhe profesionale të përcaktuara në dosjen e tenderit.
Sipas raportit, operatori ekonomik nuk kishte dorëzuar referenca pozitive apo fletë-pranime për kontrata të ngjashme, siç kërkohej nga dokumentacioni i tenderit. Megjithatë, ai është shpallur fitues i kontratës. Auditori vlerëson se kjo ka ndodhur si pasojë e kontrollit të pamjaftueshëm gjatë procesit të vlerësimit të ofertave dhe verifikimit të dokumentacionit nga autoriteti kontraktues.
“Përzgjedhja e operatorëve ekonomikë që nuk i plotësojnë kriteret e përcaktuara mund të rezultojë në realizim me cilësi të dobët të kontratave publike, pengon zhvillimin e një procesi të rregullt të prokurimit, cenon transparencën, barazinë dhe efektivitetin e procesit të prokurimit publik”, thuhet në raportin e auditorit.
Përveç kësaj, auditori ka gjetur se Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka hyrë në obligime kontraktuale pa siguruar fonde të mjaftueshme buxhetore, duke tejkaluar limitet e përcaktuara me Ligjin e Buxhetit për vitin 2025 në vlerë totale prej 1.24 milion eurosh.
Sipas raportit, kontrata për ndërtimin e zyrave rajonale në Ferizaj, me vlerë 719 mijë euro, ishte nënshkruar ndonëse për këtë projekt ishin planifikuar vetëm 30 mijë euro për periudhën trevjeçare.
Një situatë e ngjashme është konstatuar edhe për projektin e ndërtimit të zyrave rajonale në Gjakovë, ku kontrata prej 587 mijë eurosh ishte nënshkruar pavarësisht se në dispozicion ishin vetëm 30 mijë euro. Auditori thekson se kjo praktikë krijon vështirësi serioze financiare dhe rrezik për kosto shtesë për institucionin.
“Ndërtimi i zyreve regjionale në Ferizaj” Lot 1, në vlerë prej 719,065€, e nënshkruar më 18.03.2025, me afat realizimi 350 ditë pune. Sipas Ligjit të Buxhetit 2025, për këtë projekt ishin ndarë vetëm 30,000€ për tri vite duke rezultuar me një tejkalim prej 689,065€, dhe Kontrata për projektin “Ndërtimi i zyreve regjionale në Gjakovë” Lot 2, në vlerë prej 587,497€, e nënshkruar më 24.03.2025, me afat realizimi 350 ditë pune. Edhe për këtë projekt, sipas Ligjit të Buxhetit 2025, ishin ndarë vetëm 30,000€ për tri vite me një tejkalim prej 557,497€. Vlen të ceket se projekti për ndërtimin e zyreve regjionale në Gjakovë, nuk ka filluar së zbatuari, pasi në teren kanë dalë probleme teknike që e kanë pamundësuar fillimin e punëve”, thuhet në raport.
Sipas raportit kjo ka ndodhur për shkak të mos funksionimit të kontrolleve me rastin e inicimit të procedurave të prokurimit, si dhe mungesës se planifikimit të mirëfilltë buxhetore për projekte të caktuara.

