Ylli Pacuku ka reaguar pas vandalizimit të mbishkrimit në gjuhën shqipe në tabelën informuese të Muzeut Natyror-Shkencor, duke e cilësuar aktin si të papranueshëm dhe duke theksuar se gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në vend.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Pacuku bëri të ditur se së bashku me Sheval Baftiun kanë pastruar shkarravinat e bëra mbi mbishkrimin në shqip, duke dërguar një mesazh kundër urrejtjes dhe vandalizmit.
“Në qytetin tonë, në botëkuptimet tona, në jetën tonë nuk ka vend për urrejtje dhe vandalizëm. Gjuha shqipe është zyrtare në këtë vend, me Kushtetutë dhe me ligj. Na respektoni që t’ju respektojmë”, ka shkruar Pacuku.
Ai shtoi se, pavarësisht dëmtimit të tabelës, gjuha shqipe nuk mund të fshihet me akte vandalizmi.
“Ne e bëmë tabelën shqip, ata e shkarravitën, ne e pastruam. Shqipja është këtu dhe nuk ikën me shkarravitje”, u shpreh ai.
Në fund të reagimit, Pacuku bëri thirrje për më shumë respekt ndaj gjuhëve zyrtare dhe pronës publike, duke e mbyllur mesazhin me fjalët: “Korrje në pranverë, kundër shkarravitjeve!”





