Gazetarja Arlinda Sejda ka dhënë dorëheqje nga Radio Televizioni i Kosovës (RTK), pas rreth 10 vitesh punë në transmetuesin publik. Në njoftimin e saj publik, ajo tha se vendimin e ka marrë për të mbrojtur parimet bazë të gazetarisë dhe pamundësinë për ta ushtruar profesionin në përputhje me standardet etike dhe bindjet e saj profesionale.
“Këtë vendim e kam marrë me qëllim të mbrojtjes së parimeve bazë mbi të cilat mbështetet ushtrimi i profesionit të gazetarit”, shkroi Sejda, duke theksuar se gazetaria duhet të mbështetet në verifikimin e fakteve, pavarësinë profesionale dhe interesin publik.
Dorëheqja e saj vjen pas largimeve të mëparshme të disa gazetarëve dhe redaktorëve nga RTK, të cilët gjithashtu kanë ngritur shqetësime për presione dhe ndërhyrje në punën editoriale.
Ndërkohë, Gazeta Nacionale ka raportuar se ndaj Sejdës është ushtruar presion nga ushtruesi i detyrës së drejtorit të televizionit, Rilind Gërvalla, dhe ushtruesi i detyrës së kryeredaktorit, Blerim Haxhiaj, për përgatitjen e një storjeje me inteligjencë artificiale lidhur me një incident në Skenderaj. Ky pretendim nuk është konfirmuar nga RTK dhe nuk ka pasur reagim zyrtar nga Gërvalla apo Haxhiaj deri në momentin e publikimit të këtij lajmi.
Në mbështetje të gazetares ka reaguar edhe redaktorja e RTK-së, Jehona Zhitia, e cila ka deklaruar se ka qenë dëshmitare e situatave që, sipas saj, cenonin integritetin profesional të gazetarëve.
Reagime kanë ardhur edhe nga deputetja e zgjedhur e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, e cila ka kërkuar sqarime lidhur me raportimet se Sejdës i është kërkuar të prodhojë një storje me inteligjencë artificiale për qëllime politike.
Federata Sindikale e RTK-së e ka cilësuar dorëheqjen e Sejdës si një sinjal serioz për gjendjen në transmetuesin publik, duke theksuar se ndërhyrjet në proceset editoriale dhe presionet ndaj gazetarëve dëmtojnë pavarësinë editoriale dhe besueshmërinë e institucionit.
Edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar, duke kërkuar mbrojtjen e pavarësisë editoriale në RTK dhe ndalimin e çdo forme të presionit politik ndaj gazetarëve.
Deri në publikimin e këtij lajmi, Radio Televizioni i Kosovës, Rilind Gërvalla dhe Blerim Haxhiaj nuk kanë dalë me një reagim zyrtar lidhur me këto pretendime.
Skandal në RTK? Dorëhiqet gazetarja Arlinda Sejda, pretendon pamundësi për gazetari të pavarur

