Gjatë ditës së sotme është mbyllur qumështorja ”Vita”. Lidhur me këtë ka ardhur reagimi nga ana e Ramush Haradinajt.
Sipas Haradinajt, goditja ndaj qumështores VITA është goditje ndaj prodhimit vendor, ndaj fermerit të Kosovës dhe ndaj çdo familjeje që jeton nga puna e ndershme.
Ai ka thënë se në vend që t’i mbështesë prodhuesit vendorë, pushteti po i pengon, po i godet dhe po krijon pasiguri për investimet e tyre.
Reagimi i plotë:
Goditja ndaj qumështores VITA është goditje ndaj prodhimit vendor, ndaj fermerit të Kosovës dhe ndaj çdo familjeje që jeton nga puna e ndershme.
Mbyllja e njërit prej prodhuesve më të mëdhenj vendorë, me direktiva të Qeverisë në detyrë, nuk është vetëm sulm ndaj një kompanie. Është goditje ndaj mijëra fermerëve që e dorëzojnë qumështin e tyre çdo ditë, ndaj qindra punëtorëve që sigurojnë bukën e familjeve të tyre dhe ndaj gjithë ekonomisë së vendit.
Në vend që t’i mbështesë prodhuesit vendorë, pushteti po i pengon, po i godet dhe po krijon pasiguri për investimet e tyre.
Kosova nuk ndërtohet duke mbyllur fabrika. Kosova ndërtohet duke mbrojtur prodhimin vendor, duke përkrahur fermerin, punëtorin dhe sipërmarrësin që investon e krijon vende pune.
Ftoj institucionet përgjegjëse të ndalin menjëherë çdo vendim arbitrar që rrezikon prodhimin vendor dhe mirëqenien e mijëra familjeve kosovare.



