Zyrtarët amerikanë: Izraeli planifikoi të vriste negociatorët kryesorë të Iranit gjatë bisedimeve të paqes

Zyrtarët amerikanë besojnë se Izraeli mund të ketë bërë plane për të vrarë negociatorët kryesorë të Iranit, ndërsa Uashingtoni ishte i angazhuar me Teheranin në bisedime këtë pranverë për të arritur një marrëveshje të përkohshme paqeje, sipas zyrtarëve aktualë dhe ish-zyrtarë amerikanë, shkruan The New York Times.

Vrasja e udhëheqësve të lartë iranianë kishte qenë pjesë e strategjisë së Izraelit që nga fillimi i luftës. Por shqetësimet amerikane në lidhje me shënjestrimin e dy zyrtarëve të veçantë iranianë, Abbas Araghchi, ministri i jashtëm i Iranit, dhe Mohammad Bagher Ghalibaf , kryetari i Parlamentit, u rritën gjatë negociatave delikate për armëpushim që filluan në prill.

Të frikësuar se një përpjekje izraelite për vrasje do t’i shkatërronte negociatat, Shtetet e Bashkuara, sipas disa zyrtarëve, shkuan aq larg sa u kërkuan vendeve të tjera në rajon të paralajmëronin Iranin për mundësinë që Izraeli të shënjestronte dy zyrtarët.

Zyrtarët amerikanë pranuan se gjatë fazës intensive të luftës, Araghchi dhe Ghalibaf, si zyrtarë të lartë qeveritarë, mund të kishin qenë objektiva legjitime për Izraelin, i cili kishte ndërmend të rrëzonte qeverinë e linjës së ashpër të Iranit. Por, pasi negociatat filluan me zell në prill, zyrtarët amerikanë besonin se çdo përpjekje për të vrarë udhëheqësit iranianë do t’i jepte fund bisedimeve dhe do të riniste luftimet.

Lufta filloi më 28 shkurt me një sulm izraelit që vrau udhëheqësin suprem, Ajatollah Ali Khamenei, dhe zyrtarë të tjerë të lartë, bazuar pjesërisht në të dhënat e inteligjencës amerikane .

Ndërsa sulmet amerikane u përqendruan në forcat detare dhe raketore të Iranit, Izraeli i dha përparësi shënjestrimit të udhëheqjes në fazën e hershme të luftës, me qëllim vrasjen e sa më shumë zyrtarëve të lartë që të ishte e mundur.

By admin7