Një tragjedi e rëndë ka ndodhur pranë fshatit Pastuh, në komunën e Nevestinos, afër Kyustendilit në Bullgari, ku katër anëtarë të së njëjtës familje humbën jetën pasi u mbytën në lumin Struma.
Sipas mediave bullgare, gjyshi dhe gjyshja kishin dalë për piknik pranë lumit së bashku me tre nipërit e tyre, të moshës 6, 8 dhe 11 vjeç. Në një moment, çifti i moshuar hyri në ujë, por u rrëmbye nga rryma e fortë e lumit.
Duke parë situatën, dy nipërit më të mëdhenj, 8 dhe 11 vjeç, u futën në ujë në përpjekje për t’i shpëtuar gjyshërve, por edhe ata u morën nga rryma.
Pas disa orësh kërkime intensive, ekipet e shpëtimit gjetën trupat e pajetë të dy fëmijëve pranë vendit të ngjarjes. Më herët ishin lokalizuar edhe trupat e gjyshit dhe gjyshes.
Fëmija gjashtëvjeçar arriti të shpëtojë, pasi nuk hyri në ujë. Ai vrapoi drejt rrugës për të kërkuar ndihmë dhe, megjithëse ndodhet në gjendje shoku, nuk ka pësuar lëndime fizike.
Në operacionin e kërkim-shpëtimit u angazhuan policia, zjarrfikësit, vullnetarët, dronë dhe varka të peshkatarëve. Sipas banorëve të zonës, lumi Struma në atë segment arrin një thellësi prej 8 deri në 9 metrash, ndërsa rrymat e forta e bëjnë atë veçanërisht të rrezikshëm.
Autoritetet bullgare po hetojnë rrethanat e plota të kësaj tragjedie që ka tronditur opinionin publik.



