Një fushatë zbritjesh në një rrjet supermarketesh ne Francë shkaktoi skena kaotike në disa pika shitjeje, veçanërisht në rajonin e Parisit, teksa vendi po përballet me temperatura ekstreme. Ofertat për ventilatorë dhe pajisje portative të ajrit të kondicionuar tërhoqën një numër të jashtëzakonshëm blerësish, duke krijuar turma të mëdha dhe situata të pakontrollueshme.
Në një supermarket në lagjen e 14-të të Parisit, klientët nisën të zinin radhën që pas mesnatës. Deri në hapjen e dyqanit, radha kishte mbërritur në rreth 300 deri në 400 persona, ndërsa të gjitha produktet në ofertë u shitën brenda më pak se një ore. Fluksi i madh i njerëzve u shoqërua me shtyrje, rrëzime dhe momente paniku brenda dyqanit, duke detyruar autoritetet të ndërhyjnë. Në vendngjarje u angazhuan policia dhe zjarrfikësit për të rikthyer rendin dhe për të garantuar sigurinë e klientëve.
Në njërin prej incidenteve, një person përdori sprej piperi, duke i shkaktuar probleme shëndetësore të paktën tetë vetëve, mes tyre edhe një fëmijë 12-vjeçar. Episode të ngjashme u raportuan edhe në disa zona të tjera të rajonit të Parisit, përfshirë Nanterre, Aubervilliers, dhe Valenton. Pamjet e publikuara nga vendngjarjet tregojnë dyer të hapura me forcë, përplasje mes klientëve dhe ndërhyrje të stafit, i cili në disa raste u detyrua të mbyllte përkohësisht dyqanet për arsye sigurie. Incidenti nxiti një debat lidhur me organizimin e fushatave promocionale gjatë periudhave me temperatura ekstreme, ndërsa autoritetet franceze pritet të shqyrtojnë mënyrën e menaxhimit të situatës dhe masat e sigurisë të zbatuara gjatë shitjeve me fluks të lartë klientësh.



