Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka deklaruar se është i gatshëm për zgjedhje të parakohshme parlamentare, duke vlerësuar se qytetarët duhet të vendosin përmes votës se kush duhet ta udhëheqë vendin, përcjell FaktiDitor.info.
Reagimi i partisë vjen pas publikimit të një sondazhi nga portali Mkd.mk, i realizuar nga agjencia Market Vision gjatë periudhës 10–27 qershor 2026 me 1.200 të anketuar.
Në komunikatën e saj, BDI vlerëson se rezultatet e sondazhit tregojnë se qeveria aktuale ka humbur legjitimitetin politik, moral dhe demokratik për të vazhduar qeverisjen, duke shtuar se të dhënat pasqyrojnë pakënaqësinë e qytetarëve dhe nevojën për ndryshim politik.
Partia pretendon se mbetet forca e parë politike shqiptare në vend, me 12.1 për qind të mbështetjes së të anketuarve të vendosur, ndërsa thekson se kryetari i saj, Ali Ahmeti, vazhdon të gëzojë besim të lartë te qytetarët.
Në reagim, BDI i referohet edhe mbështetjes së qytetarëve për integrimin në Bashkimin Evropian, duke kritikuar qeverinë për mungesë progresi në reformat kyçe, si drejtësia, ekonomia dhe procesi i integrimit evropian.
Sipas partisë, pritshmëritë për reforma të thella institucionale dhe avancimin e procesit eurointegrues nuk janë përmbushur.
Në fund të komunikatës, BDI rithekson se është e gatshme të përballet me qytetarët në zgjedhje të parakohshme parlamentare, duke theksuar se legjitimiteti politik duhet të testohet në kutitë e votimit dhe jo përmes marrëveshjeve parlamentare.
Partia njofton se në një proces të mundshëm zgjedhor do të garojë me platformën e saj politike, e cila përfshin integrimin evropian, zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe barazinë ndëretnike, përcjell FaktiDitor.info.



