Pas ndalimit të disa deputetëve të koalicionit VLEN në pikën kufitare me Shqipërinë, ka reaguar nenkryetari i BDI-se, Arjanit Hoxha, i cili këtë zhvillim e ka lidhur me debatet e mëhershme rreth legjitimitetit politik të përfaqësimit shqiptar,transmeton Faktiditor.info
Në një status të publikuar në rrjetet sociale, Hoxha ka rikujtuar mandatin e deputetit të VLEN-it në Njësinë Zgjedhore 6, duke pretenduar se ai ishte rezultat i bashkimit të votave në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve nga partitë maqedonase VMRO-DPMNE dhe LSDM.
“Mandati i deputetit të VLEN-it në Njësinë Zgjedhore 6, i fituar si rezultat i bashkimit të votave në KSHZ nga partitë maqedonase VMRO-DPMNE dhe LSDM, ishte dëshmia më e qartë e shkeljes së legjitimitetit të përfaqësimit të shqiptarëve në Kuvend”, ka shkruar Hoxha.
Duke komentuar ndalimin e deputetëve në kufirin me Shqipërinë, Hoxha ka theksuar se kur, sipas tij, vihet në pikëpyetje përfaqësimi legjitim i shqiptarëve dhe kur një mandat politik lidhet me një person që më pas shpallet “NON GRATA” nga shteti amë, atëherë pasojnë edhe përgjegjësitë politike.
“Kush vepron kundër interesave të kombit të vet, herët a vonë përballet me pasojat”, ka shkruar Hoxha, duke e përmbyllur reagimin me shënimin: “P.S. KARMA…..!”
Reagimi i Hoxhës ka hapur debat në skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, ndërsa ende priten sqarime të mëtejshme lidhur me arsyet e ndalimit të deputetëve të VLEN-it në kufirin me Shqipërinë./Faktiditor.info/



