Shtetet e Bashkuara kanë rivendosur bllokadën e tyre detare ndaj porteve iraniane dhe kanë ndërmarrë natën e katërt radhazi të sulmeve ndaj Iranit.
Sulme janë raportuar edhe në vendet aleate të Washingtonit në rajon — Kuvajt, Bahrein dhe Jordani — ndërsa Teherani tha se po godet objektiva amerikane në rajon.
CNN shkruan për zhvillimet e fundit:
SHBA-ja sulmon Iranin: Ushtria amerikane tha se të martën mbrëma deri të mërkurën ndërmori një “valë shtatëorëshe” sulmesh në Iran, duke goditur dhjetëra objektiva ushtarake pranë Ngushticës së Hormuzit dhe në zonat bregdetare. Mediat shtetërore iraniane thanë se sulmi dëmtoi një fabrikë për mbushjen e ujit në shishe pranë kufirit të Iranit me Irakun.
Paralajmërimi i Trumpit: Presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi sërish se do të bombardojë infrastrukturën civile në Iran, duke deklaruar në një intervistë televizive se SHBA-ja do të godasë ura dhe centrale elektrike javën e ardhshme nëse Teherani nuk rikthehet në tryezën e negociatave. Nuk është hera e parë që ai bën një kërcënim të tillë, duke përdorur paralajmërime të ashpra si taktikë negociuese. Trump tha gjithashtu se sulmet amerikane ndaj Iranit “do të vazhdojnë derisa unë të them se mjafton”.
Kuvajti nën sulm: Një video duket se tregon një dron iranian duke goditur një depo që tashmë ishte përfshirë nga zjarri në një zonë industriale pranë Mina Abdullah në Kuvajt, herët të mërkurën. Sipas dy zyrtarëve amerikanë, forcat amerikane kanë ndihmuar në mbrojtjen e Kuvajtit nga një seri e vazhdueshme sulmesh hakmarrëse iraniane, përfshirë edhe me përdorimin e sistemeve raketore Patriot. Katër pjesëtarë të forcave të armatosura të Kuvajtit u plagosën nga një sulm iranian ndaj një anijeje ushtarake kuvajtiane, tha të martën Ministria e Mbrojtjes e vendit.
Sulmet në rajon: Ushtria iraniane pretendon se ka goditur objektiva ushtarake amerikane në Bazën Ajrore Al-Azraq në Jordani, sipas mediave shtetërore iraniane. Irani ka goditur vazhdimisht infrastrukturën ushtarake në Jordani ditët e fundit, duke nxitur sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, ta dënojë këtë veprim. Irani gjithashtu kreu disa sulme ndaj Bahreinit, duke aktivizuar sirenat e alarmit.
Anijet në shënjestër: Irani ka sulmuar civilë duke goditur shtatë anije tregtare gjatë javës së fundit, duke lënë gati një duzinë anëtarësh të ekuipazheve të vrarë, të zhdukur ose të plagosur, tha ushtria amerikane.
Paketa e politikave të mbrojtjes: Demokratët në Senatin amerikan bllokuan paketën vjetore të politikave të mbrojtjes, një projektligj që zakonisht miratohet me mbështetje të gjerë dypartiake, për shkak të kundërshtimeve të tyre lidhur me luftën në Iran.
Kriptovalutat e ngrira: Administrata Trump ka ngrirë më shumë se 130 milionë dollarë në kriptovaluta, për të cilat thotë se janë të lidhura me Iranin.



