Probleme të konsiderueshme në udhëtimet ajrore janë regjistruar që nga mëngjesi i së premtes në Itali, për shkak të një defekti teknik në sistemin qendror të kontrollit të trafikut ajror, i cili ka shkaktuar vonesa në aeroportet kryesore të vendit.
Sipas autoriteteve kompetente, numri i ngritjeve dhe uljeve të avionëve u ul me 50% në orët e mëngjesit, ndërsa vonesat arritën mesatarisht dy orë.
Problemet filluan rreth orës 06:00, duke prekur kryesisht aeroportet e Romës, Milanos dhe Torinos.
Katër anulime fluturimesh janë njoftuar tashmë në aeroportin “Leonardo da Vinci” të Fiumicino-s në kryeqytetin italian.
Autoritetet kompetente sqarojnë se, bazuar në informacionin e disponueshëm deri më tani, nuk ka indikacione se mosfunksionimi është për shkak të një sulmi kibernetik.
Aktualisht, nuk dihet se kur sistemi do të rikthehet plotësisht dhe se kur do të rifillojë rrjedha e qetë e fluturimeve.



