Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj, siç thotë, mungesës së përfaqësimit të shqiptarëve në pozitat drejtuese të Ministrisë së Mbrojtjes, duke vlerësuar se situata paraqet një alarm serioz për funksionimin e parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat në institucionet shtetërore.
Sipas BDI-së, të dhënat zyrtare të publikuara nga Ministria e Mbrojtjes tregojnë se të dhjetë drejtorët e kësaj ministrie janë maqedonas, ndërsa asnjë shqiptar nuk ushtron funksion drejtues në nivel drejtorie.
“Ky disproporcion paraqet një goditje të rëndë ndaj parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, një nga shtyllat mbi të cilat është ndërtuar stabiliteti institucional dhe marrëdhëniet ndëretnike në vend”, thuhet në reagimin e partisë. BDI thekson se sektori i sigurisë dhe mbrojtjes kërkon besim të ndërsjellë, balancë dhe përfshirje të të gjitha komuniteteve, ndërsa paralajmëron se përjashtimi i shqiptarëve nga nivelet ku merren vendimet strategjike dëmton karakterin multietnik të institucioneve.
“Sektori i sigurisë dhe mbrojtjes kërkon besim të ndërsjellë, balancë dhe përfshirje të të gjitha komuniteteve. Përjashtimi i shqiptarëve nga nivelet ku merren vendimet strategjike cenon këtë besim, krijon ndjenjë margjinalizimi dhe dëmton karakterin multietnik të institucioneve që kanë përgjegjësi për sigurinë e të gjithë qytetarëve”, thuhet më tej në reagim.
Në të njëjtën kohë, opozita shqiptare kritikon koalicionin VLEN, duke e akuzuar për mungesë reagimi ndaj kësaj situate.
“Edhe më shqetësuese është heshtja e VLEN-it. Për më shumë se dy vite në pushtet, përfaqësuesit e tij nuk kanë arritur të mbrojnë as përfaqësimin minimal të shqiptarëve në institucionet kyçe të sigurisë. Mungesa e rezultateve dëshmon paaftësi për të mbrojtur interesin shqiptar dhe një kapje që i ka lënë pa zë përballë vendimeve diskriminuese”, thekson BDI.
Në fund të reagimit, BDI vlerëson se përfaqësimi i drejtë në institucionet e sigurisë nuk duhet parë vetëm si çështje e statistikave, por si element kyç për funksionimin e shtetit. “Përfaqësimi i drejtë në institucionet e sigurisë nuk është çështje statistikash. Është garanci për besimin, stabilitetin dhe sigurinë afatgjatë të shtetit”, përfundon reagimi i BDI-së.



