27-vjeçares nga Zvicra i zhduken 94 mijë franga nga valixhja në shtëpinë e prindërve në Pejë

Një vjedhje me dëm të konsiderueshëm është raportuar në Pejë, ku një 27-vjeçare dyshon se i janë vjedhur 94 mijë franga zvicerane nga valixhja e saj, ndërsa ajo ndodhej brenda banesës së prindërve.

Sipas informacioneve, e reja kishte ardhur nga Zvicra më 12 korrik, duke sjellë me vete një valixhe ku ndodheshin 94 mijë franga zvicerane. Dy ditë më vonë, kur e hapi bagazhin, ajo vërejti se dryni ishte thyer dhe se të gjitha paratë mungonin.

Rasti u raportua menjëherë në Polici, e cila doli në vendin e ngjarjes së bashku me hetuesit dhe njësinë e kriminalistikës për të kryer ekzaminimet e nevojshme.

Sipas të dhënave fillestare, nuk janë konstatuar shenja të thyerjes në banesë, por vetëm në valixhe. Në banesë, sipas burimeve, jetojnë edhe familjarët e viktimës.

Në vendngjarje janë mbledhur prova materiale, ndërsa hetuesit po punojnë për identifikimin e autorit dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Vjedhje e rëndë”, ndërsa hetimet janë në vazhdim.

By admin7