Kurti: Tahir Sinani një nga luftëtarët më të spikatur të çështjes kombëtare

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në Akademinë Përkujtimore të organizuar nga Qeveria e Kosovës me rastin e 25-vjetorit të rënies së Tahir Sinanit, e vlerësoi atë si një nga figurat më të spikatura të luftës për liri.

Kurti tha se kjo ishte akademia e parë përkujtimore për Tahir Sinanin e organizuar nga institucionet qendrore të Kosovës.

“Jam i nderuar që në 25-vjetorin e rënies së Tahir Sinanit, si Kryeministër i Republikës së Kosovës, sot të jem me ju këtu në akademinë përkujtimore kushtuar gjeneral Sinanit, luftëtarit të paepur të lirisë. Aq më tepër që kjo është akademia e parë përkujtimore për Tahir Sinanin e organizuar nga institucionet qendrore të shtetit tonë, përkatësisht nga Qeveria e Republikës së Kosovës.”

Duke folur për jetën dhe veprimtarinë e Tahir Sinanit, Kurti tha se ai u shqua në luftërat çlirimtare të shqiptarëve.

“Në aktet kulminante të këtyre luftërave, në fund të shekullit të kaluar dhe në fillim të këtij shekulli, shfaqet ndër beteja një nga luftëtarët më të spikatur të kësaj çështjeje, Tahir Sinani.”

Ai theksoi se angazhimi i Sinanit në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ishte i rëndësishëm jo vetëm si luftëtar, por edhe si oficer.

“Mobilizimi i Tahir Sinanit në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës që më 1998 nuk i shtoi UÇK-së thjesht një luftëtar më shumë, por i solli asaj një nga oficerët më të dobishëm, që aftësitë e tij profesionale ua përcolli qindra ushtarëve të tjerë përpara se të përfshihej edhe vetë ai në zemër të luftës.”

Kurti rikujtoi se pas luftës në Kosovë, Tahir Sinani mori pjesë edhe në luftimet në Luginën e Preshevës dhe më pas në Maqedoninë e Veriut.

“Ai besonte thellësisht se çlirimi i Kosovës nga Serbia nuk mund të ishte fundi dhe as trofeu më i lartë i luftës çlirimtare kombëtare. Andaj nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës ai e vazhdoi luftën te Ushtria Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni në vitin 2001.”

Në fund të fjalës së tij, Kurti nderoi veprën e Tahir Sinanit.

“Lavdi veprës patriotike dhe luftës çlirimtare të Tahir Sinanit mes luftëtarëve të lirisë kombëtare!”.

Kurse Rrezart Sinani, djali i Tahir Sinanit, tha se me kalimin e viteve familja e kuptoi peshën e sakrificës së komandantit.

“Kur babai im mori rrugën drejt pavdekësisë, ishim shumë të vegjël për ta kuptuar madhështinë e sakrificës së tij. Por me kalimin e viteve, teksa u rritëm, mësuam çdo ditë e më shumë peshën, vlerën dhe kuptimin e atij rrugëtimi.”

Ai tha se Tahir Sinani u la fëmijëve trashëgiminë më të çmuar.

“Kuptuam se ai nuk na la pas pasuri materiale, por na la pas trashëgiminë më të çmuar që mund t’i lërë një prind fëmijëve të tij: krenarinë, emrin e pastër, nderin dhe respektin.”

Në përfundim, ai u shpreh:

“Nderimi më i madh për ta është ta duam, ta mbrojmë dhe ta forcojmë çdo ditë vendin për të cilin ata u flijuan. Lavdi dëshmorëve të kombit! Lavdi, lavdi!”

By admin7