“Europa është e dobët dhe e përçarë”, çfarë po llogarit Putin për të fituar luftën në Ukrainë?

Lionel Barber, ish-drejtor për 15 vite i gazetës prestigjioze “Financial Times”, ka analizuar strategjinë e Vladimir Putinit në luftën kundër Ukrainës, duke paralajmëruar se presidenti rus po përpiqet të shfrytëzojë përçarjet brenda aleancës perëndimore për të arritur objektivat e tij.

Në një intervistë, Barber, i cili është takuar tri herë me liderin rus, e cilëson Putinin një mjeshtër të destabilizimit dhe luftës psikologjike.

Sipas tij, Kremlini beson se mund të dobësojë bashkëpunimin mes vendeve perëndimore, pasi e konsideron Europën të përçarë dhe të dobët, ndërsa sheh te Donald Trump një aleat të mundshëm në Uashington.

“Po përpiqet të përçajë aleancën perëndimore dhe besoj se është i bindur se mund t’ia dalë, sepse ka njeriun e tij në Uashington”, deklaron Barber, duke iu referuar presidentit amerikan.

Ish-drejtuesi i “Financial Times” kritikon qëndrimin e Trumpit ndaj luftës në Ukrainë, duke theksuar se ai nuk ka ndërmarrë hapa konkretë për ta mbështetur Kievin dhe se është treguar vazhdimisht mirëkuptues ndaj Putinit.

Sipas Barber, edhe të dërguarit amerikanë Jared Kushner dhe Steve Witkoff kanë mbajtur qëndrime në favor të Rusisë gjatë përpjekjeve diplomatike.

Sa i përket mundësisë së negociatave për paqe, Barber mendon se Putini nuk është ende i gatshëm për një marrëveshje.

Sipas tij, presidenti rus synon të shfrytëzojë muajt e dimrit për të dobësuar rezistencën ukrainase dhe për të minuar mbështetjen perëndimore.

Ai paralajmëron gjithashtu se Rusia po përballet me pasoja të rënda ekonomike dhe sociale nga lufta.

Mobilizimi i përgjithshëm do të ishte një rrezik i madh për Kremlinin, pasi do ta bënte të pamundur vazhdimin e paraqitjes së luftës si një “operacion special ushtarak”, duke ekspozuar përmasat reale të konfliktit përpara popullsisë ruse.

Një tjetër skenar që, sipas Barber, mund t’i shërbejë interesave të Putinit është fitorja e Marine Le Pen në zgjedhjet presidenciale në Francë.

Ai beson se një zhvillim i tillë mund të çojë në dobësimin ose ndërprerjen e mbështetjes europiane për Ukrainën.

Sipas tij, viti 2027 mund të jetë veçanërisht i vështirë për Kievin, ndërsa Putini do të përpiqej të siguronte një marrëveshje që jo vetëm të dobësonte Ukrainën, por edhe të ndryshonte rendin e sigurisë europiane të krijuar pas Luftës së Ftohtë.

“Viti 2027 do të jetë shumë i vështirë”, paralajmëron Barber, duke shtuar se Putini ka ende arsye të forta për t’u kapur pas luftës, pavarësisht kostove të jashtëzakonshme që ajo po i shkakton Rusisë.