Bashkimi Evropian ka miratuar 140 sanksione të reja ndaj Rusisë, duke shtuar presionin ndaj Moskës për luftën në Ukrainë.
Masat e reja prekin rafineri, banka, kompani të tregtisë online dhe subjekte ruse në Gjirin Persik dhe Azinë Lindore, të cilat dyshohet se mbështesin edhe flotën e fshehtë ruse. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, tha se paketa përfshin listën më të gjerë të sanksioneve të vendosura deri më tani ndaj personave dhe organizatave përgjegjëse për sulmet kibernetike dhe fushatat ruse të dezinformimit kundër vendeve evropiane.
Në listën e zezë janë përfshirë kompania ruse e teknologjisë politike Social Design Agency dhe 24 punonjës të saj, si dhe grupi i hakerëve pro-rusë NoName057, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulme kibernetike ndaj institucioneve dhe infrastrukturës kritike në Ukrainë, SHBA dhe vende të BE-së.
Sanksione janë vendosur edhe ndaj Tatyana Kim, themelueses së platformës së tregtisë online Uildberries dhe një prej sipërmarrëseve më të pasura në Rusi. Ndërkohë, Brukseli po përgatit paketën e 22-të të sanksioneve, ndërsa në diskutim është edhe një hua prej 45 miliardë eurosh për Kievin.
Paralelisht me presionin ekonomik ndaj Moskës, SHBA-të po intensifikojnë përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës. Të dërguarit e Shtëpisë së Bardhë, Jared Kushner dhe Steve Uitkoff, pritet të mbërrijnë të enjten në Gjermani, ku në Berlin do të zhvillojnë takime me përfaqësues ukrainas dhe evropianë për garancitë e sigurisë dhe planin e rimëkëmbjes ekonomike të Ukrainës pas luftës.
Dy emisarët amerikanë kanë zhvilluar gjithashtu bisedime me këshilltarin rus Yuri Ushakov për të diskutuar përparimin e procesit të paqes dhe hapat e ardhshëm.
Kushner ka theksuar se NATO do të mbetet një shtyllë qendrore e sigurisë evropiane, duke nënvizuar se synimi i SHBA-ve është të mbështetet te institucionet dhe marrëveshjet ekzistuese evropiane, përmes forcimit të angazhimeve të sigurisë dhe mekanizmave për uljen e tensioneve.
Sipas tij, objektivi i radhës është lehtësimi i një dialogu të drejtpërdrejtë mes Evropës dhe Rusisë, në mënyrë që çdo marrëveshje paqeje të jetë e qëndrueshme në afatgjatë.



