Këshilltari kryesor i Gianni Infantinos, Carlos Cordeiro, po jep dorëheqjen në shenjë proteste kundër planeve multi-miliardë dollarëshe të FIFA-s, sipas Associated Pressit. Cordeiro thuhet se deklaroi se plani do të ishte i dëmshëm për futbollin.
“Si këshilltar i lartë i presidentit të FIFA-s, një ish-bankier dhe një tifoz i përjetshëm i futbollit, nuk mund të rri duarkryq ndërsa FIFA po shqyrton shitjen e aksioneve të saj në Kupën e Botës”, tha ai në një deklaratë të parë nga Sky.
“Më lejoni të sqaroj një gjë: Unë nuk kam qenë në asnjë mënyrë i përfshirë në këtë propozim dhe e refuzoj fuqimisht atë. Është një marrëveshje e keqe për shoqatat anëtare të FIFA-s, një marrëveshje e keqe për futbollin dhe një marrëveshje e keqe për të ardhmen afatgjatë të këtij sporti.”
Deklarata e Cordeiro ishte e qartë: “Futbolli luan një rol qendror në jetën time dhe, pas më shumë se 35 vitesh në bankë, e kuptoj si vlerën e këtij aseti, ashtu edhe pasojat e heqjes dorë nga një pjesë e tij. Prandaj, ky propozim duhet të refuzohet.”
FIFA shkaktoi një valë të madhe zemërimi pasi u zbuluan planet e ardhshme të presidentit të saj. Infantino planifikon të shesë afërsisht 20 deri në 30 përqind të të drejtave të marketingut komercial të FIFA-s, veçanërisht ato të Kupës së Botës për meshkuj, te investitorë privatë.
Sipas FIFA-s, paratë do t’u shkojnë të gjitha shoqatave anëtare që bien dakord me planin. Për të siguruar shumicën e nevojshme të 211 shoqatave anëtare, Infantino po i josh kombet me fonde të shtuara – konkretisht deri në 40 milionë dollarë amerikanë për shoqatë./Indeksonline/



