Trump: Mundësia e fundit për regjimin iranian që të nënshkruajë një dokument të mirë

“Kjo është mundësia e fundit për regjimin iranian që të nënshkruajë një dokument të mirë”, deklaroi presidenti amerikan Donald Trump, duke iu referuar një marrëveshjeje të mundshme mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.

Gjatë një deklarate për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë mbrëmë, Trump tha se negociatat “janë duke vazhduar” dhe se ato “po ecin shpejt, në një mënyrë ose në një tjetër”, raportoi Sky News.

Sipas tij, SHBA-ja është e gatshme ta sulmojë Iranin “më fuqishëm se çdo sulm ushtarak që nga Lufta e Dytë Botërore”, ndërsa më herët mbrëmë ai urdhëroi ushtrinë të ndalojë sulmet.

Trump gjithashtu deklaroi se Irani nuk do të vendosë tarifa kalimi në Ngushticën e Hormuzit.

“Nëse dikush duhet të mbledhë tarifa kalimi, do të jemi ne. Ne kemi kontroll të plotë. Kemi diçka që quhet bllokadë, muri i hekurt i SHBA-së”, tha Trump.

Ai shtoi se po përpiqet t’i japë Iranit çdo mundësi për negociata “para se t’i presë kokat”.

“Mendoj se mund të arrijmë diçka. Dua t’u jap çdo mundësi para se t’ua presin kokat. Jam shumë krenar për faktin që do t’u jap njerëzve një shans”, tha Trump.

Më herët gjatë ditës, Trump tha se, pavarësisht nëse Irani dëshiron ta pranojë apo jo, SHBA-ja po punon për zgjidhjen e problemeve që Teherani i ka shkaktuar gjatë dekadave të fundit dhe përsëriti pretendimin e tij se Irani nuk do të posedojë kurrë armë bërthamore.

“Udhëheqja iraniane është jashtëzakonisht hipokrite. Fillimisht kërkojnë takim, disa do të thoshin se luten për të, dhe fillojnë bisedimet, caktohen të reja në të ardhmen, e më pas krenarisht thonë se nuk ka bisedime, se asgjë nuk po diskutohet dhe se gjoja po flasin vetëm me Omanin”, shkroi Trump në profilin e tij në Truth Social.

Ai shtoi se Irani pretendon se kontrollon Ngushticën e Hormuzit, ndërsa përsëriti se sipas tij ajo kontrollohet nga ushtria amerikane.

“Asgjë nuk kalon drejt Iranit nëse ne nuk e duam këtë dhe asgjë nuk do të kalojë derisa të arrihet një marrëveshje ose dorëzimi i tyre i plotë”, tha Trump.

Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Iranit njoftoi dje se gjatë tetë ditëve të fundit, Irani dhe Omani kanë zhvilluar “bisedime konstruktive” për krijimin e një rruge të re përmes Ngushticës së Hormuzit, e cila do të kishte një korridor të vetëm për hyrje dhe dalje të anijeve, në vend të disa rrugëve të ndara.

“Arritja e një marrëveshjeje me Omanin nuk mjafton për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit”, tha zëdhënësi i ministrisë, Esmaeil Baghaei, duke shtuar se “asgjë nuk do të ndryshojë në Hormuz derisa Uashingtoni të vazhdojë agresionin dhe bllokadën detare”.

By admin7