UEFA-ja, AFC-ja dhe CONCACAF-i bashkohen kundër Infantinos dhe FIFA-s: Futbolli nuk i përket një individi

Presioni ndaj presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, është rritur ndjeshëm, pasi UEFA, Konfederata Aziatike e Futbollit (AFC) dhe konfederata e Amerikës së Veriut, Qendrore dhe Karaibeve (CONCACAF) kanë dalë së bashku kundër mënyrës së drejtimit të organizatës botërore të futbollit.

Tri konfederatat kanë publikuar një deklaratë të përbashkët, në të cilën kritikojnë drejtimin e FIFA-s, shkruan Indeksonline

Ky zhvillim vjen pasi UEFA-ja konfirmoi javën e kaluar se do të vazhdojë bojkotin e aktiviteteve të FIFA-s. Vendimi mbeti në fuqi edhe pas tërheqjes së Infantinos nga plani kontrovers për shitjen e të drejtave të Botërorit te investitorë privatë, për të cilin kreu i FIFA-s kishte kërkuar edhe falje publike.

Në deklaratën e tyre, UEFA-ja, AFC-ja dhe CONCACAF-i theksojnë se zhvillimi i futbollit gjatë dekadës së fundit nuk mund t’i atribuohet një personi të vetëm.

“Futbolli është pasioni më i madh i përbashkët në botë. Ai nuk i përket asnjë individi apo institucioni. Ai u përket lojtarëve, tifozëve, klubeve, federatave anëtare dhe çdo institucioni të cilit i është besuar e ardhmja e tij.”

Tri konfederatat kanë vlerësuar si arritje të përbashkëta zgjerimin e turneve, caktimin e vendeve pritëse për Kupat e Botës 2030 dhe 2034, si dhe shpërndarjen e fondeve për federatat anëtare.

Megjithatë, ato kanë bërë të qartë se konflikti nuk lidhet me çështjet financiare apo me vendimet për zgjerimin e garave.

Sipas tyre, çështja kryesore është integriteti i futbollit dhe i drejtuesve të zgjedhur për ta udhëhequr atë.

“Kur duhet të ketë përgjegjësi, mbizotëron heshtja; kur duhet të ketë transparencë, mbizotëron distanca. Këto nuk janë cilësi që futbolli i meriton nga drejtuesit e tij”, thuhet në deklaratë.

Në fund, UEFA, AFC dhe CONCACAF kanë bërë thirrje për një udhëheqje që i shërben futbollit dhe jo një drejtim që synon ta kontrollojë atë.

“Forca e futbollit ka qenë gjithmonë në unitetin e tij. Kërkojmë që ky unitet të respektohet dhe të kemi një udhëheqje që i shërben futbollit, jo një udhëheqje që përpiqet ta sundojë atë.”

Ky qëndrim i përbashkët përbën një goditje të fortë politike ndaj Infantinos dhe mund ta thellojë përplasjen mes drejtuesve të FIFA-s dhe disa prej konfederatave më të fuqishme të futbollit botëror.

By admin12