Dardan Krasniqi e akuzon Gani Gecin për rastin e veprimtarit Rreci: “Marre, turp, tradhti!”

Ish-ushtari i UÇK-së, Dardan Krasniqi e ka akuzuar publikisht veprimtarin e LDK-së, Gani Gecin, për tentativat që rastin e zhdukjes së ish-aktivistit të LDK-së, Idriz Rrecit, t’ia mveshte Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Krasniqi ka publikuar një video-deklarim të Gecit të para disa vitesh në të cilën ai pretendon se Idriz Rrecin e morën “UDB-ashët bashkë me ShIK-un”.

“Idriz Rreci ka qenë kryetar i LDK-së, Dega në Skenderaj, e kanë marrë UDB-ashët bashkë me ShIK, e kanë çu në rrugën pakrye që është për Mal të Zi dhe është i zhdukur”, thotë Geci në videon e risjell nga Krasniqi.

“Është kërcënuar në fshatin Polac nga Shtabi i Përgjithshëm i ashtuquajtur i UÇK-së”, vazhdon tutje Geci në këtë deklarim.

Pas shumë kohësh, të dielën familja njoftoi se eshtrat e Idriz Rrecit u gjetën në varrezat masive në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut, pasi dyshohet se bashkë me disa intelektualë të tjerë shqiptarë ishte rrëmbyer më 15 prill 1999 nga forcat serbe.

Dardan Krasniqi, anëtar i AAK-së, tha përmes një postimi në Facebook se deklarata e para disa vitesh e Gani Gecit për rastin e Idriz Rrecit është “krim”.

“Ja çfarë genjeshtra shpifje e propagandë në linjën e UDB-së kanë qene do shqiptar! Degjone me zë! Se si krimet e Paramilitarëve serb janë mundu me ua la shqiptarëve! SHP të UÇK-së”, tha Krasniqi.

“Tash çfarë me thënë? Marre turp tradhti! Me i amnistu paramilitarët serb e me e akuzu dikë pa asnjë argument është e trisht! Është e poshtër! Është e ulët! Është krim!”.