Kryetari i Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur”, Bardhyl Mahmuti, ka kërkuar shpalljen e menjëhershme të gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë, duke pretenduar se vendimi i Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së përbën rrezik për rendin kushtetues dhe Pavarësinë e Kosovës.
Në një intervistë në emisionin “Konfront” të KTV-së, Mahmuti është shprehur se nuk duhet pritur vendimi i Apelit, pasi, sipas tij, vendimi i shkallës së parë mund të nxisë forca që synojnë destabilizimin e Kosovës. Ai ka argumentuar gjithashtu se një vendim përfundimtar që do ta lidhte luftën për pavarësi me veprime kriminale mund të ketë, sipas tij, pasoja në aspektin ndërkombëtar, përfshirë rrezikun e tërheqjes së njohjeve të Kosovës.
Mahmuti ka mbrojtur ish-krerët e UÇK-së të dënuar në Hagë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, duke vlerësuar se ekipet e tyre mbrojtëse kanë zhvilluar një mbrojtje profesionale dhe se dëshmitarët e paraqitur prej tyre, përfshirë figura ndërkombëtare si James Rubin dhe Wesley Clark, kanë mbështetur pretendimin për pafajësinë e tyre.
Ai ka kritikuar edhe Prokurorinë e Specializuar, duke pretenduar se disa prej dëshmive të përfshira në aktakuzë ishin të pabazuara dhe se raste të caktuara janë nxjerrë nga konteksti në aktgjykim. Sipas Mahmutit, qëllimi i procesit ka qenë kriminalizimi i luftës së UÇK-së dhe i procesit të pavarësimit të Kosovës.
Ndërkohë, katër ish-krerët e UÇK-së kanë të drejtë të apelojnë vendimin. Sipas procedurave të Dhomave të Specializuara, Apeli mund ta konfirmojë vendimin, ta ndryshojë atë, të ndërhyjë në pjesë të caktuara ose ta kthejë çështjen në rigjykim.
Gjykata Speciale i ka dënuar Thaçin dhe Krasniqin me nga 25 vjet burgim, Veselin me 18 vjet dhe Selimin me 13 vjet, për krime lufte, ndërsa të katër janë shpallur të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.



