Skandal në Bruksel: Kënga nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo” interpretohet në aktivitetin e BE-së, ambasadori Bajrami kërkon sqarime

Një këngë nacionaliste serbe, e njohur për mesazhet e saj politike dhe pretendimet territoriale ndaj Kosovës, është interpretuar në Bruksel, në prag të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Bëhet fjalë për këngën “Oj Kosovo, Kosovo”, e cila u interpretua gjatë mbrëmjes hapëse të aktivitetit nga grupi muzikor slloven “Kapobanda”, në kuadër të një programi ku ishte paraparë edhe pjesëmarrja e Orkestrës së të Rinjve të Ballkanit Perëndimor.

Ngjarja ka nxitur reagime, pasi aktiviteti organizohet nga Komisioni Evropian dhe synon promovimin e bashkëpunimit dhe perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ambasadori i Kosovës në Bruksel kërkon reagim të menjëhershëm
Ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, ka reaguar ndaj interpretimit të kësaj kënge, duke kërkuar nga Komisioni Evropian që të japë sqarime të menjëhershme për përzgjedhjen e saj në një aktivitet zyrtar evropian.

Rasti është veçanërisht i ndjeshëm për shkak se kënga “Oj Kosovo, Kosovo” lidhet me narrativën nacionaliste serbe dhe pretendimet e Serbisë ndaj territorit të Kosovës.

Interpretimi i saj në një forum të organizuar nga institucionet evropiane ngre pikëpyetje mbi përgjegjësinë e organizatorëve dhe kriteret e përzgjedhjes së programit kulturor.

Komisioni Evropian, nën drejtimin e komisioneres për Zgjerim, Marta Kos, pritet të përballet me kërkesat për sqarim lidhur me këtë incident.

Pyetja që shtrohet është se si mund të promovohet bashkëpunimi evropian dhe respektimi i sovranitetit të shteteve, ndërkohë që në një aktivitet të tillë interpretohet një këngë me mesazhe nacionaliste dhe pretendime territoriale ndaj Kosovës.

Osmani mbron figurën e Rugovës: Kontributi i tij nuk mund të fshihet nga historia